2012-06-30 19:13:47

Falenderimi i të dëmtuarve nga tërmeti për Papën


Të martën e kaluar, Papa Benedikti XVI shkoi për një vizitë një-ditore në Rovereto të Novit, për t’u takuar me të dëmtuarit nga tërmeti në Emilia Romanja, në veri të Italisë. Njerëzit e pritën me ngrohtësi Atin e Shenjtë, duke parë në të afërsinë e Kishës me ata që vuajnë. “Zoti është shpresa jonë”, shkruhej në një parrullë, në hyrje të Roveretos, ku Papa shkoi të lutej në rrënojat e kishës së Shën Katerinës së Aleksandrisë, ku gjeti vdekjen famullitari, don Ivan Martini, për të përqafuar pastaj krejt popullsinë, në sheshin kryesor.
Të shumtë, ipeshkvijtë, familjet, fëmijët, vullnetarët që kënduan e duartrokitën, ndërsa zinte vend mes tyre Ati i Shenjtë, për të mbetur më pas në heshtje të plotë, ndërsa dëgjonin Benediktin XVI. Ja si e komenton dikush, në mes të publikut, emocionin e asaj dite, çastin që e ka prekur më shumë:
Citimi i Psalmit, që thotë “Ne nuk kemi frikë, edhe po të lëkundet toka”. E ndjeva shumë më të vërtetë: jam lutur shumë herë me atë psalm, por në çastin, kur jeton duke u dridhur, instiktivisht, ke nevojë për dikë që të të japë siguri se je i çmuar në sytë e Zotit, se nuk je rastësisht në këtë botë e se ka diçka që të mban, përtej sprovave. Prandaj, gjeta më shumë vërtetësi në këtë çast e, edhe më shumë vëmendje nga ana e njerëzve, edhe nga ana e atyre që nuk besojnë. Ishte një çast shumë i bukur. Doli në pah zemra e emilianëve e Papa e nënvizoi këtë e na inkurajoi të jemi këta që jemi. Për mua, ky Papë përfaqëson vërtet shumë…
Pas përshëndetjeve e falenderimeve të kardinalit Karlo Kafarra, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Emilia Romanjës dhe të presidentit të Rajonit, Vasko Errani, fjalët e Ati të Shenjtë i përforcuan njerëzit në fe, duke ua orientuar zemrën drejt Krishtit, shkëmb që nuk thyhet e nuk braktis. “Asnjë çarje në zemrat tuaja” vërejti Benedikti XVI, duke theksuar edhe një herë shpresën e krishterë, që u rindez në sytë e emilianëve.
Kjo bashkësi e sprovuar, e vuajtur, por e gjallë, shenjë e një Kishe që nuk përkulet, dëgjoi Papën, i cili, nga ana e tij u lut së bashku me popullsinë e dëgjoi mëse 120 vetë, më shumë se 50 vetët e parashikuar si përfaqësues të zonave të dëmtuara nga tërmeti. U ktheu atyre dashurinë që i treguan, duke u folur me zemër e me shpirt dhe Rovereto tregoi më së miri fytyrën e vërtetë të një Kishe të gjallë, të rinovuar në fe, me besim në Hyjin e Gjithpushtetshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.