2012-06-30 17:33:31

Atë Lombardi: Shën Pjetri e Shën Pali, festë për bashkimin e Kishës


Të premten e kaluar, Kisha Katolike kremtoi festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, në meshën e së cilës, Papa Benedikti XVI u dha palion 43 kryeipeshkvijve metropolitë, simbol i bashkimit të tyre me selinë e Shën Pjetrit. Pikërisht tek figura e këtij apostulli u përqendrua gjatë homelisë. Vetë Jezusi, theksoi Ati i Shenjtë, e zgjodhi Pjetrin si shkëmb, mbi të cilin të ndërtonte Kishën e vet dhe i bëri premtimin, që vlen për të gjitha kohrat: “Dyert e ferrit nuk do të ngadhnjejnë”. Në këtë festë, siç është tashmë traditë, vjen gjithnjë një delegacion nga Patriarkati Ekumenik ortodoks i Kostandinopojës, dërguar edhe këtë vit, nga Patriku Bartolomeu I. Kësaj radhe një risi: në Kapelën Sikstine këndoi një nga koret më të famshme të botës, ai i Abacisë së Uestminsterit, nga Londra. Të krishterët u mblodhën kështu në Romë, rreth Eukaristisë, gjithnjë me shpresë për të arritur bashkimin e vërtetë e të plotë, siç thekson në komentin e tij javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
Sa domethënie në këtë festë të mrekullueshme të verës romake, që kremtohet nën kupolën e mbi elterin, të cilët ndodhen ekzaktësisht mbi varrin e Shën Pjetrit, në Bazilikën, që hap krahët në sheshin – vend të martirizimit të Apostullit, kryqëzuar kokëposhtë për shkak të dashurisë së përvuajtur e besnike për Zotin e vet. Nga Abacia e Uestminsterit në Londër, zemra e Bashkimit Anglikan, edhe ajo kushtuar Shën Pjetrit, këtë vit, erdhi të këndojë së bashku me katolikët në Kapelën Sikstine, një nga koret më të famshme të botës, për të dëshmuar se në besnikërinë ndaj traditës së madhe liturgjike, gjen vazhdimisht burimin e vet, pasioni për bashkimin.
Të dërguarit e Patrikut Ekumenik ortodoks erdhën nga Kostandinopoja, seli e shën Andreut, vëllait të Pjetrit, për të rinovuar një traditë të lashtë shkëmbimi urimesh dhe lutjesh në festat e të dy apostujve, kryetarë të Kishave të Perëndimit e të Lindjes. Për të rinovuar nostalgjinë dhe shpresën, që s’vdes kurrë, në bashkimin e plotë ndërmjet të krishterëve. Nga të gjitha kontinentet, nga çdo zonë e Kishës Katolike, erdhën kryeipeshkvijtë e rinj, të emëruar vitin e kaluar. Mëse 40, që morën nga duart e Papës palion, i cili ruhet mbi varrin e Shën Pjetrit e të cilin, do ta mbajnë tani mbi supe si shenjë e bashkimit me Pasardhësin e Kreut të Apostujve, ndërsa, si Shën Pali, do të kumtojnë Ungjillin deri në kufijtë e fundit të botës.
Pjetri, Andrea, Pali. Nga Jeruzalemi, në Romë e në botë. Bashkim e dëshirë për unitet të plotë. Shërbim ndaj Ungjillit deri në martirizim.







All the contents on this site are copyrighted ©.