2012-06-29 11:21:21

Himni i Dashurisë i shën Palit .


Himni i dashurisë (1 Kor 13, 1-13), shkruar nga Shën Pali Apostull, i cili kremtohet sot, na mëson se kjo ndjenjë fisnike është më e fuqishme nga të gjitha e se u jep vlerë të gjitha virtyteve. Njeriu mund t’i njohë të gjitha shkencat e të gjitha misteret, mund të ketë fe sa të luajë nga vendi malet, po ç’vlerë ka, në se i mungon dashuria? Kësaj pyetjeje i jep përgjigje ‘Himni i dashurisë”:
1 Po t’i flisja gjuhët e njerëzve e të engjëjve,
por po të mos kisha dashurinë,
do të isha porsi bronzi që kumbon
e porsi cimbali që tingëllon.
2 Po ta kisha dhuratën e profecisë
e t’i dija të gjitha misteret
e të gjitha dituritë;
po ta kisha edhe fenë e plotë,
me të cilën të mund t’u ndërroja vend maleve,
por po të më mungonte dashuria,
s’do të isha asgjë!
3 Po ta ndaja lëmoshë mbarë pasurinë time
dhe po ta jepja trupin tim të digjej,
por, po të më mungonte dashuria,
nuk do të më vlente asgjë!
4 Dashuria është zemërgjërë,
është e dhimbshme, dashuria,
nuk ka smirë,
nuk mbahet me të madh,
nuk krenohet
5 nuk është e panjerëzishme,
nuk kërkon interesin e vet,
nuk hidhërohet,
nuk e mban mend të keqen,
6 nuk i kënaqet padrejtësisë,
por i gëzohet të vërtetës.
7 Arsyeton gjithçka,
beson gjithçka
shpreson gjithçka,
duron gjithçka.
8 Dashuria nuk mbaron kurrë.
Profecitë mbarojnë,
gjuhët shuhen,
njohuritë marrin fund.
9 Sepse njohuria jonë është e kufizuar
dhe e kufizuar është profecia jonë.
10 Por, kur të arrijë përsosmëria,
çka është e kufizuar do të marrë fund.
11 Kur isha fëmijë
flisja si fëmijë,
mendoja si fëmijë,
arsyetoja si fëmijë.
Kur u bëra njeri i pjekur,
flaka çka i përket fëmijërisë.
12 Vërtet, tani shikojmë si në pasqyrë
e në mënyrë të errët,
por atëherë do të shohim faqe-faqas!
Tani njohuria ime është e kufizuar,
atëherë do të njoh plotësisht,
siç jam i njohur.
13 Tani, veç, mbetet
feja,
shpresa
e dashuria
-këto të trija-
Porse më e madhja ndër to është dashuria.







All the contents on this site are copyrighted ©.