2012-06-29 15:19:28

Botohet vepra “Shqipja e gjuhët ballkanike”


"Shqipja dhe gjuhët ballkanike" është vepra më e fundit që vjen si rezultat i punës së dy Akademive Shkencore, të Shqipërisë dhe Kosovës.
Në këtë vepër janë të përfshira kumtesat shkencore të 46 studiuesve ballkanas. Libri u promovua dje në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Sipas redaktorit të librit, akademikut Rexhep Ismajli, gjuha shqipe zë vendin kryesor dhe është ndër më të vjetrat si dhe greqishtja e vjetër.
Në takimin që u bë për këtë vepër, gjuhëtari i njohur Kolec Topalli e vë theksin edhe te shikimi i gjuhës shqipe si degë më vete të grupit indoeuropian si dhe në krahasim me gjuhët e tjera ballkanase. Sipas akademikëve, falë këtyre studimeve përfitimet nga hulumtime të tilla janë të rëndësishme jo vetëm për shkencën e ballkanologjisë, por edhe për vetë shoqërinë tonë.
Botimi "Shqipja dhe gjuhët ballkanike" është fryt i konferencës shkencore me pjesëmarrje të brezave të ndryshëm të studimeve gjuhësore nga bota shqiptare dhe nga vendet e tjera të Ballkanit, që u organizua në fund të vitit që shkoi. Në konferencën shkencore morën pjesë gjuhëtarë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Italia, Austria, Greqia, Rusia, Gjermania, Polonia, Çekia, Moldavia, Mali i Zi etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.