2012-06-29 11:31:02

Biografia e Shën Pjetrit


Figura e Shën Pjetrit, të parit ndërmjet Apostujve, ishte në qendër të vëmendjes gjatë katekizmit të Papës Benedikti XVI mbajtur në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, më 17 maj 2006, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. Papa shpjegoi shëmbëlltyrën njerëzore e shpirtërore të peshkatarit të Galilesë, që i besoi plotësisht Krishtit e u bë kështu protagonist i një aventure të madhe. Pjetri – tha Papa- përveçse personazh historik – siç e dëshmojnë, ndërmjet tjerash, gërmimet arkeologjike të kohëve të fundit në Kafarnao, - është njeriu simbol i një feje guximtare e të përvuajtur në Hyjin, fe që nuk pretendon të japë një recetë për ta shndërruar krishterimin sipas mendimit tonë.
Pjetri, peshkatar që drejton një grup të vogël familjar, i cili peshkon në liqenin e Gjenezaretit, njeri pakëz i vrazhdë, por me natyrë shumë të ndjeshme, kur është fjala për sendet e shpirtit, është në pritje të zbulesës mesianike. Jeta e tij ndryshon përgjithmonë në një nga ditët e zakonshme, kur një njeri tjetër, një rabbì – apo mësues, e shndërron varkën e tij në “katedër” dhe, përmes simbolit të një peshkimi sa të begatë, aq të pabesueshëm, i kërkon ta ndjekë nëpër detet e njerëzimit. Në figurën së Simonit, peshkatarit të Galilesë, 45 mijë besimtarët e pranishëm në audiencë, panë vetveten, me bindjet e ligështitë e fesë së tyre. Benedikti XVI e pikturoi kështu portretin e Pjetrit, që do të themelonte, me vdekjen e tij mbi Kodrinën e Vatikanit, selinë apostolike të Kishës së Romës:
“Ishte hebré besimtar, plot shpresë në praninë vepruese të Hyjit në historinë e popullit të vet, i brengosur sepse nuk po e shihte këtë veprim të fuqishëm ndër ngjarjet e kohës, në të cilat ishte dëshmitar. Simoni në Ungjill na paraqitet njeri i vendosur e i rrëmbyer; ai është gati t’i mbrojë arsyet e veta edhe me forcë – kujtojmë këtu përdorimin e shpatës në kopshtin e Gjetsemanit. Por njëkohësisht nganjëherë tregohet edhe i padjallëzuar e frikacak; gjithsesi mbetet gjithnjë i ndershëm, deri në pendimin më të sinqertë…”.
Duke folur për personazhin më të njohur e më të përmendur në Besëlidhjen e Re pas Jezusit: 154 herë me emrin simbolik Pjetër–Shkëmb, me të cilin e thirri për herë të parë Krishti e 9 herë me emrin origjinal në gjuhën aramajke, Kefë – Papa Ratcinger vuri në dukje disa fragmente të veçanta të Ungjijve, të cilat në fillim na zbulojnë figurën e një njeriu krejt të thjeshtë, që më pas fiton epërsinë shpirtërore të Apostullit. Kur e shohim për herë të parë në skenën ungjillore, ai është burrë i pjekur e peshkatar i regjur. Por kur njeriu i panjohur, që sapo i ka dhënë mësim turmës nga varka e tij, i kërkon të dalë në det të hapur për të peshkuar, Pjetri e harron se është ai mjeshtër peshkimi dhe, duke i besuar Zotit, del në det:
“Jezusi nuk ishte specialist peshkimi, e megjithatë Simoni i beson këtij Rabbì, këtij Mësuesi, që nuk i jep përgjigje, por e fton t’i besojë. Pjetri pranon t’ia hyjë kësaj aventure të madhe: është fisnik, i njeh kufizimet e veta, por beson në atë që e thërret dhe ndjek ëndrrën e zemrës së vet. Thotë po dhe bëhet nxënës i Jezusit”.
Çasti i dytë ka të bëjë me ngjarjen e Çezaresë së Filipit, kur Pjetri, duke pohuar “Ti je Krishti”, mbart në vetvete, në embrion – shpjegoi Papa – besojmën e ardhshme të fesë në Kishë. Ky pranim nuk është ende plotësisht i vetëdijshëm, sepse Pjetri rebelohet kur e dëgjon Krishtin duke folur për mundimet që do të pësojë, madje edhe e qorton. Por edhe në këtë qëndrim humaniteti i peshkatarit pasqyron humanitetin tonë, dmth të njerëzve, që do të parapëlqenin më shumë “njeriun hyjnor” i cili e ndryshon botën sipas shpresave tepër njerëzore, sesa “Hyjin njerëzor” që përkundrazi, e trondit, duke zgjedhur rrugën e përvujtërisë e të mundimeve. E këtu Pjetri mëson ligjin kërkues të ndjekjes së Krishtit:
“Më duket se gjithë figura e tij është ngushëllim e mësim i madh për ne. Pjetri na thotë: “Ti mendon se ke recetën e se duhet ta shndërrosh botën e krishterimit, por rrugën e njeh vetëm Zoti, i cili më thotë: ‘Eja pas meje!’, sepse është Ai vetë ‘Rruga’, e ‘Vërteta’, ‘Jeta’.







All the contents on this site are copyrighted ©.