2012-06-27 14:57:43

Në Tiranë konferenca ndërqeveritare ndërkombëtare “Një OKB”


Zhvillohet sot për herë të parë në Shqipëri konferenca ndërqeveritare e nivelit të lartë ndërkombëtar për reformën “Një OKB”, organizuar nga Qeveria e Tiranës në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Konferenca tre ditore (27-29 qershor 2012), që organizohet çdo vit në vende të ndryshme të botës, në ditën e parë të saj përshëndetet nga Kryeministri i Shqipërisë, dr. Sali Berisha e znj. Helen Clark, Kryetare e Grupit të Zhvillimit të OKB-së (UNDG) dhe Administratore e UNDP-së (ish kryeministre e Zelandës se Re).
Në këtë konferencë marrin pjesë 300 përfaqësues të lartë nga 40 Vende të botës, përfaqësues nga Vendet donatore, krerë e përfaqësues të lartë të sistemit të OKB-së, e etj. Synimi i organizimit të konferencës është të përmirësojë efektshmërinë e sistemit të Kombeve të Bashkuara dhe të shihet si një mundësi e rëndësishme për të paraqitur rezultatet, arritjet, sfidat dhe mësimet e nxjerra nga qasja Një OKB. Nga Konferenca do të dalin dy dokumente kryesore të cilat do të japin rekomandime mbi të ardhmen e kësaj nisme në Vendet ku ajo do të aplikohet.
Në konferencë pritet ndër të tjera: Vendet pjesëmarrëse të bien dakord mbi një qëndrim të përbashkët që, elementë kyç të nismës Një OKB, t’i paraqiten, në korrik 2012, Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) dhe Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në vjeshtë të vitit 2012. Të identifikohen dhe njihen praktikat më të mira të nismës Një OKB nga të cilat vendet e tjera mund të përfitojnë, duke u përqendruar në rezultatet konkrete dhe sfidat në të ardhmen.
Shqipëria dhe Nisma “Një OKB”/Ne vitin 2007 pas kërkesës së qeverisë shqiptare, Kombet e Bashkuara zgjodhen Shqiperine si një nder tetë vendet pilote të nismës Një OKB në botë. Ndërtuar mbi programin e reformave të vendosura nga Shtetet anëtare të OKB-së, koncepti “Një OKB” përshpejton përpjekjet për rritjen e koherencës dhe efektshmërisë së aktiviteteve të zhvillimit në nivel vendi.
Tetë vendet pilote të programit Një OKB filluan zbatimin e një modeli të ri ku programet dhe agjencitë do të bashkoheshin në “Një Program”, “Një Kuadër Buxhetor”, Një Drejtues” dhe “Një Zyrë”. Më 24 tetor 2007, Qeveria e Shqipërisë dhe njëmbëdhjetë Agjenci, fonde dhe programe të OKB-së, nënshkruan Programin Një OKB.
Objektivi i Programit Një OKB në Shqipëri është përmirësimi i rezultateve dhe impaktit të zhvillimit duke bashkuar avantazhet krahasuese të sistemit të OKB në një program të vetëm strategjik. Ndërsa në tetor të viti 2011 qeveria e Shqipërisë dhe Kombet e Bashkuara nënshkruan programin e ri të bashkëpunimit për periudhën 2012-2016 i cili mbështet përparësitë kombëtare dhe sfidat e zhvillimit të vendit në fushat e qeverisjes, shtetit të së drejtës, ekonomisë dhe mjedisit, zhvillimit rajonal dhe lokal dhe politikave sociale gjithëpërfshirëse. Programi mbështet Shqipërinë në agjendën e saj të integrimit evropian.







All the contents on this site are copyrighted ©.