2012-06-27 16:01:33

Iu paraqit Papës një studim i ri mbi qelizat burimore


Pas audiencës së përgjithshme, Papës iu paraqit kopia e parë e librit “Qelizat tona burimore: Misteri i jetës dhe të fshehtat e shërimit”. Në të pasqyrohen rezultatet e një studimi mbi qelizat burimore të rritura dhe mbi përdorimin e tyre në fushën mjekësore, së bashku me problemet kulturore dhe etike që sjellin. Vepra doli nga bashkëpunimi i Këshillit Papnor të Kulturës (përmes fondacionit bamirës “STOQ International”) me Fondacionin “Stem for Life” (Qelizat burimore për jetën) e do të mund të konsultohet nga publiku i gjerë, në fund të vitit. Brenda librit, edhe një fjalim i Benediktit XVI, ku kërkohet një impenjim më i madh në punën shkencore, që ka të bëjë me zbulimin e fushave të përdorimit të qelizave burimore të rritura.
Në vëllimin, që iu paraqit Papës, theksohen konceptet e diskutuara nga konferenca e parë ndërkombëtare për qelizat burimore të rritura, e cila u mbajt në Vatikan, në vitin 2011. Lexuesit i ofrohet një panoramikë e gjerë mbi të ardhmen e mjekësisë rigjeneruese, ku përfshihen edhe arritjet e fundit në përdorimin e këtyre qelizave për mjekimin e zemrës e të organeve të dëmtuara, për rigjenerimin e shikimit, për luftën kundër tumorit, për kurimin e diabetit, për shërimin e plagëve të djegjes e për ndalimin e sëmundjeve si Alzheimer, skleroza e shumëfishtë dhe sëmundja e Lou Gehring.
Drejtori i projektit “STOQ” për Këshillin Papnor të Kulturës, imzot Tomash Trafni është i bindur se libri do të nxisë dialogun ndërmjet bashkësisë shkencore dhe asaj fetare, në kuadrin e kërkimit të përbashkët të së vërtetës e të respektimit të vlerave më të larta etike. “Urojmë – pohoi prelati – që të kontribuojë për të edukuar njerëzit e të gjithë botës mbi rëndësinë e punës etike kërkimore-shkencore dhe, t’i ndihmojë të kuptojnë se nuk është e nevojshme të zgjedhësh ndërmjet fesë e shkencës, por, në të vërtetë, të dyja mund të punojnë së bashku në të mirë të njerëzimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.