2012-06-27 14:57:57

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: Zoti nuk do madhështi, por shërbim


Llogjika njerëzore kërkon pushtet, fuqi, por njerëzit e realizojnë vetveten vetëm kur “zbrazen nga vetvetja”. Kështu tha Papa, gjatë audiencës së përgjithshme të paradites së sotme, në Sallën Pali VI në Vatikan, duke kujtuar rrugën e treguar nga Krishti e duke komentuar Letrën e shën Palit Apostull drejtuar Filipianëve, konsideruar “himn kristologjik”.
Njeriu i afrohet Zotit vetëm përmes shërbimit të përvuajtur. Benedikti XVI, duke përshkuar me fjalë udhën e treguar nga Krishti, theksoi se vetëm ai, që si Jezusi, përulet deri në gjendjen e skllavit, ekzaltohet e lartohet mbi çdo gjë nga Ati i Gjithpushtetshëm. Udha e Kryqit, e përvuajtërisë, e dhurimit të vetvetes, duke zbatuar vullnetin e Zotit, është edhe rruga, që na tregon Shën Pali. Prandaj, ai përdor fjalë të gëzuara e të qeta në Letrën drejtuar Filipianëve, shkruar kur Apostulli i Popujve ishte në burg dhe e ndjente se po i afrohej vdekja, martirizimi. “Jezusi - nënvizoi Ati i Shenjtë – arriti në nivelin më të madh të përuljes, sepse kryqëzimi ishte dënim, që u rezervohej skllevërve e jo njerëzve të lirë”:
“Ndërsa, llogjika njerëzore e kërkon shpesh realizimin e vetvetes tek pushteti, tek mbizotërimi, tek mjetet e fuqishme. Njeriu vazhdon të dëshirojë që ta ndërtojë me forcat e veta kullën e Babelit, për të arritur lartësinë e Zotit, për të qenë si Zoti”.
Papa kujtoi gjestin e Jezusit në Darkën e Mbrame, kur Ai u lau këmbët apostujve dhe u tha të bënin të njëjtën gjë me njëri-tjetrin. E duke iu larguar tekstit të shkruar për audiencën, Benedikti XVI pohoi: “Zoti nuk do madhështi, Zoti do dhurimin e vetvetes përmes dashurisë, përmes shërbimit”:
“Lartimi deri tek Zoti bëhet pikërisht përmes uljes deri në shërbimin e përvuajtur, në dashurinë e përvuajtur, që është thelbi i Hyjit, e prandaj, edhe forca që pastron vërtet, që e bën njeriun të aftë ta perceptojë e ta shohë Zotin”.
E gjithnjë pa letër, Papa shtoi: “Vetëm nëse e mohojmë vetveten, e gjejmë atë”. Më pas, një këshillë e çmuar:
“Në lutje, në marrëdhëniet me Zotin, ne ia hapim mendjen, zemrën, vullnetin, veprimit të Shpirtit Shenjt”.
Lutja, vazhdoi Benedikti XVI, është heshtje e fjalë, është këngë e gjeste, që përfshijnë krejt njeriun. Ati i Shenjtë përshkroi pikërisht njërin prej këtyre gjesteve:
“Gjunjëzimi para të Shenjtnueshmit Sakrament, ose lutja në gjunjë shprehin adhurimin për Zotin, edhe përmes trupit”.
Prandaj, ky gjest duhet kryer jo thjesht për zakon dhe shkel e shko, por me vetëdije të thellë për ç’po bëjmë:
“Kur gjunjëzohemi para Hyjit, ne shprehim fenë tonë në Të, e njohim si Zotin e vetëm të jetës sonë”.
Në fund, ftesa e Atit të Shenjtë:
“Të qëndrojmë sa më shpesh në adhurim para Eukaristisë, për ta lënë të hyjë në jetën tonë dashurinë e Zotit, që u përul me përvuajtëri për të na lartuar deri tek Ai”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, në fund të audiencës së përgjithshme, Papa iu rikthye Letrës së Shën Palit Apostull drejtuar Filipianëve, duke e quajtur “himn të madh kristologjik”. Në frëngjisht, sinteza e ndjenjave të Jezusit: “dashuria, përvuajtëria dhe bindja ndaj Zotit”, pastaj, përshëndetja për grupet nga Sirosi i Greqisë e nga Haiti. Në anglisht, inkurajimi për të zbuluar se “duke u përulur me përvuajtëri e dashuri, lartohemi deri tek Hyji”, së bashku me një mendim për delegacionin ekumenik të të krishterëve të Koresë. Në spanjisht, akoma fjalë për gjendjen hyjnore e njerëzore të Jezusit, i cili përjetoi mishërimin, vdekjen në kryq, ekzaltimin në lavdinë e Hyjit, dhe përshëndetja për shtegtarët e ardhur nga Spanja, Meksika e Kolumbia. Në fund, Papa përmendi solemnitetin e Shën Pjetrit e të Shën Palit, duke i këshilluar të gjithë të shkojnë për t’u lutur tek varret e tyre në Romë: shën Pjetri në Bazilikën e Vatikanit e shën Pali, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve.







All the contents on this site are copyrighted ©.