Më 26 qershor kalendari kujton shen Hosemaria Eskriva de Balager,
Më 26 qershor kalendari kishtar përkujton shenjtin Hosemaria Eskriva de Balager, meshtar,
themelues i 'Opus Dei'. Hosemaria Eskriva lindi në Barbastro të Spanjës më 9 janar
1902, studioi në Seminarin e Longronos e të Saragozës, ku u diplomua në teologji e
drejtësi, në sa më 28 mars 1925 u shugurua meshtar. Më 1927 u transferua në Madrid,
ku punoi pa pushim në të gjitha mjediset, duke iu kushtuar të varfërve, të sëmurëve,
të braktisurve. Më 2 tetorin e vitit 1928, Escriva pa në vegim veprën që priste
të realizohej prej tij. Ishte festa e Engjëjve të Rojës. Don Hosemaria nuk do ta harronte
kurrë tingëllimin e këmbanave, që dëgjoi atë ditë! Mishel Doc, teologu të cilit iu
besua nga Opus Dei hartimi i biografisë, që iu dorëzua pjesëmarrësve në ceremoninë
e shenjtërimit të tij, së bashku me doracakun e shtegtarit, rikujton me këto fjalë,
atë që ngjau atë 2 tetor, datë që do të shënonte një kthesë vendimtare në jetën e
Escriva De Balaguer dhe të qindra njerëzve. “Më 2 tetor, pas Meshe, don Hosemaria
u kthye në dhomën ku banonte dhe nisi të vinte në rregull shënimet e tij, vendimet,
propozimet…E ndërsa shkruante, papritmas pa qartë vullnetin e Zotit. Më vonë, kur
do të fliste për këtë çast, do të përdorte gjithnjë foljen "pashë" lidhur me këtë
ndërhyrje të mbinatyrshme: ishte një vegim intelektual i Opus Dei-t, ashtu siç e dëshironte
Zoti e si do të ishte në rrjedhë shekujsh”. Në dritën e Zotit - shkruhet në biografinë
e tij - pa njerëz të çdo race, të çdo moshe e kulture që e kërkojnë e gjejnë Zotin,
në sa jetojnë të përditshmen e tyre në punë, në familje, në miqësitë, në kënaqësitë
e orës kur çlodhen nga telashet e përditshme. E kërkojnë Jezusin për ta dashur e për
të jetuar jetën e Tij hyjnore, derisa të lëshohen plotësisht në duart e tij e të bëhen
shenjtorë: shenjtorë të botës! Vegim tronditës, në të cilin shihen të krishterë të
zakonshëm, laikë që bëhen apostuj, që e shndërrojnë botën, pa u shkëputur për asnjë
çast prej saj! Ndërsa vijonte vegimi e Hosemaria kishte rënë në gjunjë, i prekur
thellë në shpirt, nisën të tingëllojnë këmbanat e Kishës së Zonjës së Engjëjve për
të festuar Lajmëtarët qiellorë. Kumbonin në një mënyrë aq të mrekullueshme, sa të
mbeteshin përjetë në kujtesën e meshtarit. "Kisha 26 vjeç, hirin e Zotit e humor të
mirë. Vetëm kaq. E më duhej të themeloja Opus Dei-n" - kujtonte më vonë meshtari,
i cili vdiq më 26 qershor 1975, u varros në Kishën e Shën Marisë së paqes në Romë;
u shpall i lum më 17 maj 1992 e u shenjtërua më 6 tetor 2002, gjatë një kremtimi solemn,
kryesuar nga Gjon Pali II në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e më se 300 mijë besimtarëve
nga mbarë bota.