2012-06-26 15:04:38

Imzot Vinçenc Palja, kryetari i ri i Këshillit Papnor për Familjen


Kush nuk e njeh në Shqipëri, imzot Vinçenc Paljen, atin shpirtëror të Bashkësisë së Shën Egjidit, ndër të parët, që erdhi në Tiranë menjëherë pas rënies së diktaturës, një nga protagonistët e bursave të studimit për rininë katolike. Deri tani ipeshkëv i Terni-Narni-Amelies, imzot Palja u emërua nga Papa, kryetar i Këshillit Papnor për Familjen dhe u ngrit në rangun e kryeipeshkvit. Ai zëvendëson kështu, kardinalin Enio Antoneli, i cili ka mbushur moshën e pensionit.
Shuruguar meshtar në vitin 1970, imzot Palja ka qenë famullitar i Bazilikës së Shën Marisë në Trastevere dhe prefekt i prefekturës së tretë kishtare të Romës. Shuguruar ipeshkëv në vitin 2000, u emërua kryetar i Federatës Ndërkombëtare Biblike Katolike e më pas, president i Komisionit të Ekumenizmit e të Dialogut të Konferencës Ipeshkvnore Italiane. Është këshilltar shpirtëror i Bashkësisë së Shën Egjidit dhe postulator i Çështjes së lumnimit të kryeipeshkvit të San Salvadorit, Oskar Arnulfo Romero. Pas emërimit në krye të dikasterit për familjen, imzot Vinçenc Palja flet në mikrofonin tonë:
Po, s’ka dyshim se edhe një herë, si herë të tjera në jetën time, jam thirrur për përgjegjësi të reja. Përpiqem, si gjithmonë, t’i përgjigjem me gatishmëri thirrjes së Zotit. Kësaj here, Papa më kërkon të vihem në krye të Këshillit Papnor për Familjen e për mua, është domethënëse, që e bën këtë pikërisht në ditën e vizitës së tij në familjet e të dëmtuarve nga tërmeti në Emilia Romanja. Është si të më thotë se duhet ta ndjek këtë shembull: të merrem me këtë punë, me të njëjtin pasion të Benediktit XVI. Mendoj për përvojën e Milanos për familjet dhe e falenderoj Papën e Hyjin, duke u lutur që të jem plotësisht në shërbim të Kishës e të familjeve.
Familja, me rolin e saj kryesor në shoqëri, është edhe në qendër të ungjillëzimit të ri…
S’ka dyshim se kthimi i familjes në qendrën e edukimit e të ungjillëzimit është një temë e nënvizuar jashtëzakonisht, në veçanti, nga Papa Gjon Pali II. Nuk mund ta harroj se themelimi i Këshillit Papnor për Familjen është bërë katër ditë para atentatit kundër Gjon Palit II: si të thuash, e nënshkroi me gjak. Mendoj se është e rëndësishme që të gjithë të jemi të vetëdijshëm për këtë, duke filluar nga vetë familjet. Është e qartë se në një kohë kur familja jeton çaste të vështira, është e nevojshme një përmasë kulturore për ta forcuar, për ta kthyer familjen, si e ka dashur Zoti, në qendër të kulturës, të shoqërisë, të politikës e të ekonomisë. Pastaj, kemi familjen e krishterë, atë të përforcuar nga Sakramenti, i cili e bën shenjë e mjet i bashkimit të të gjithëve. Prandaj, familjet e krishtera kanë përgjegjësi para shoqërisë bashkohore. Duhet të kemi ambicie e ëndrra të mëdha për familjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.