2012-06-26 14:27:01

Benedikti XVI zonat e dëmtuarit nga tërmeti në veri të Italisë: Kisha qëndron pranë popullsisë në vështirësi


Shenjë dashurie e shprese: me këtë synim, sot paradite, Papa Benedikti XVI shkoi në Rovereto të Novit, një nga qendrat e prekura nga tërmeti në veri të Italisë. Vizitë e shkurtër, por shumë e ndjerë, përmes së cilës, Ati i Shenjtë deshi të përqafonte popullsitë e dëmtuara, sidomos në zonën e Emilia Romanjës. Kisha, tha Papa, do t’u qëndrojë pranë këtyre popullsive. Gjithashtu, kujtoi me emocion don Ivan Martinin, meshtarin, që humbi jetën, nën rrënojat e kishës së tij në Rovereto, kushtuar Shën Katerinës së Aleksandrisë. Nga Benedikti XVI, edhe një thirrje e fuqishme drejtuar institucioneve, për të mos i braktisur njerëzit në nevojë, ndërsa takohej me 50 vetë, përfaqësues të familjeve të dëmtuara. Papa përshëndeti edhe ipeshkvijtë, kryebashkiakët, famullitarët, përfaqësuesit e Mbrojtjes Civile dhe vullnetarët e shumtë, të impenjuar në ndihmë të popullsisë.RealAudioMP3
“Ndjeja gjithnjë e më shumë dëshirën për të ardhur vetë në mesin tuaj”: kështu u tha Papa të dëmtuarve nga tërmeti, të cilëve iu drejtua me thjeshtësinë e atit, që dëshiron të rrijë me bijtë e vet, në çastin kur kanë më shumë nevojë. Vizita ishte e shkurtër, por u dha banorëve guxim të madh, siç theksoi presidenti i Rajonit të Emilia Romanjës, Vasko Errani:
“Këto ditë të vështira, Atë i Shenjtë, lutja Juaj, solidariteti Juaj dhe vizita Juaj e sotme na ngushëllojnë, na thonë se mund e duhet ta fitojmë këtë sfidë”.
E sfida e rindërtimit nuk është aspak e lehtë. Ky popull, vërejti me hidhërim kardinali Karlo Kafarra, kreu i ipeshkvijve të Emilia Romanjës, humbi ç’kishte më të dashur: “shtëpitë, kishat, bashkinë, vendin e punës”. E megjithatë, nuk e ka humbur fenë e shpresën:
“Para disa ditësh, një fëmijë, në emër të shumë fëmijëve të tjerë më tha: ‘Ka shumë çarje në shtëpitë tona, por asnjë në zemra’… Po, o Atë i Shenjtë, megjithëse i munduar rëndë, ky popull po gjen një bashkim më të vërtetë e më të thellë”.
Një fe, vazhdoi kryeipeshkvi i Bolonjës, që forcohet falë dëshmisë heroike të shumë meshtarëve, si don Ivan Martini, i cili humbi jetën gjatë shembjes së kishës, ku shërbente në Rovereto. E pikërisht nga ky meshtar, filloi fjala e Benediktit XVI për të dëmtuarit nga tërmeti:
“Duke nderuar kujtimin e tij, ju përshëndes veçanërisht të gjithë juve, të dashur meshtarë, e të gjithë bashkëvëllezërit, që po tregojnë dashurinë bujare për popullin e Zotit, siç ka ndodhur edhe në kohë të tjera të vështira për këto troje”.
Papa shprehu keqardhjen për dëmet e shkaktuara nga tërmeti, të cilat kanë hapur plagë në gjirin e shoqërisë vendase, por vuri në dukje edhe sa e sa duar, që po punojnë për t’i shëruar ato. Pikërisht, dëshirës së zjarrtë për të rifilluar jetën me forcë e guxim, Benedikti XVI i kushtoi një pjesë emocionuese të fjalimit të tij:
“Nuk jeni e nuk do të jeni vetëm! Gjatë këtyre ditëve, në mesin e shkatërrimit e dhimbjes së madhe, ju keni parë e dëgjuar sa njerëz po punojnë për t’ju shprehur afërsinë, solidaritetin e dashurinë e tyre; e kjo, përmes shumë shenjave e ndihmave konkrete. Prania ime në mesin tuaj dëshiron të jetë njëra nga këto shenja dashurie e shprese”.
Papa falenderoi vullnetarët, ata që e dëshmojnë konkretisht solidaritetin. E nuk mbeti pa u drejtuar një thirrje të fuqishme institucioneve, çdo qytetari, që, ashtu si Samaritani i Mirë, të mos kalojë indiferent para nevojtarëve. Benedikti XVI siguroi se Kisha do të jetë gjithnjë pranë të dëmtuarve nga tërmeti:
“Kisha është pranë jush e do të jetë afër me lutjen e me ndihmën konkrete të organizatave të saj, në veçanti të Karitasit, që do të impenjohet edhe në rindërtimin e indit shoqëror të famullive”.
Afërsi konkrete e shpirtërore! Papa kujtoi fjalët e Psalmit 46: “Hyji është për ne strehim dhe fuqi…Prandaj as s’do të trembemi edhe nëse lëkundet toka”:
“Siguria për të cilën flet (psalmi) është ajo e fesë, prandaj, po, mund të kemi frikë, ankth – i pati provuar edhe Jezusi – por kemi sidomos sigurinë se Zoti është me ne; ashtu si fëmija, që e di se mund të mbështetet gjithnjë tek e ëma dhe i ati, sepse e ndjen se ata e duan, e kërkojnë, sido të ndodhë”.
Megjithëse të vegjël e të brishtë, theksoi Papa, jemi të sigurtë në duart e Zotit, nëse ia besojmë veten dashurisë së Tij, të fortë si shkëmbi. Mbi këtë shkëmb mund të ndërtojmë, vazhdoi Benedikti XVI, duke u kujtuar italianëve me çfarë fryme solidariteti, rindërtuan vendin e rrënuar nga Lufta II Botërore. E vlerësim të veçantë, tregoi pikërisht për popullin e Emilia Romanjës, të cilin e çmon gjithë Italia për humanitetin, për miqësinë e vërtetë, për aftësinë për punë e për ta gëzuar jetën:
“Qëndrojini besnikë thirrje suaj për të qenë njerëz vëllazërorë e solidarë e do të përballoni çdo gjë me durim e vendosmëri, duke refuzuar tundimet, që fatkeqësisht, shfaqen gjatë këtyre çasteve të dobësisë e të nevojës”.







All the contents on this site are copyrighted ©.