2012-06-25 17:04:41

U paraqit në Vatikan, dokumenti për thirrjet në meshtari: përgjigje ndaj sfidës së shekullarizimit dhe shkandullit të abuzimeve


“Kujdesi për thirrjet në meshtari është sfidë e vazhdueshme për Kishën”: kështu shkruhet në dokumentin e Kongregatës për Edukimin Katolik, që u paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Në të theksohet se nuk mund të heshtim para ndikimeve të rënda negative, që ka pasur shkandulli i abuzimeve seksuale në uljen e numrit të thirrjeve meshtarake, sidomos në Perëndim. Dokumenti titullohet “Orientime baritore për nxitjen e thirrjeve në shërbimin meshtarak” dhe u paraqit nga prefekti i Kongregatës, kardinali Zenon Groçolevski, sekretari i saj, imzot Zhan-Lyi Brugès dhe zv.sekretari, imzot Anxhelo Vinçenco Xani.
Në dokument pranohet se në Perëndim, numri i thirrjeve meshtarake është në rënie, pavarësisht se baritoria që i kushtohet këtij argumenti është e strukturuar mjaft mirë e zhvillohet në mënyrë krijuese. Ndërkaq, në kontinente të tjera, ku mjetet në dispozicion janë të pakta, vërehet rritja e numrit të personave, që ndjejnë dhe i përgjigjen thirrjes për meshtar. Ja ç’tha imzot Vinçenco Xani:RealAudioMP3
“Përsa i përket Afrikës, nga 20.994 kandidatë në vitin 2001 kemi kaluar në 26.924 kandidatë, më 31 dhjetor 2010. Në Azi, kemi një rritje të fuqishme e domethënëse: nga 26.433 kandidatë në vitin 2001, kemi kaluar në 33.282, në vitin 2010”.
Perëndimi, u theksua në Sallën e Shtypit të Vatikanit, karakterizohet tashmë nga rendja e shfrenuar pas të mirave materiale, nga mënjanimi gradual i meshtarit, nga aktivizmi i tepruar, në të cilin bien shpesh edhe vetë priftërinjtë e, sidomos, nga kriza e familjes. Por edhe në vendet perëndimore, shembulli i koherencës në jetën e krishterë, dëshmia, sjellin gjithnjë fryte. Për fat të keq, shkruhet në dokumentin e Kongregatës për Edukimin Katolik, është krijuar konfuzion nga shkandulli i abuzimeve seksuale të një pjese të anëtarëve të klerit, ndikimi negativ i të cilave është i dukshëm. Prandaj, ndër rekomandimet për pranimin e kandidatëve të rinj, Kongregata parashikon verifikimin e thirrjes dhe përjashtimin e atyre personave, që paraqesin probleme në sjellje. Të dëgjojmë imzot Zhan-Lyi Brugès:
“Duhen shmangur propozime për ta pranuar thirrjen, drejtuar subjekteve të karakterizuar nga brishtësi të thella njerëzore”.
Kardinali Zenon Groçolevski vuri në dukje sfidën, që ka përpara Kisha Katolike:
“Kujdesi për thirrjet meshtarake është një sfidë e vazhdueshme për Kishën. Duhet të ofrojmë një ide të qartë për figurën e meshtarit, që shërben, për nevojën e rolin e tij në Kishë”.
Prelatët nënvizuan disa pika të padiskutueshme: para së gjithash, lutja, e kuptuar si përvojë feje, si lidhje e thellë e personale me Zotin. Pastaj, katekizmi, puna me vullnetarët, shkolla, koha e lirë, sporti: gjithçka mund të jetë mjet për t’u dhënë përgjigje pyetjeve themelore të jetës e si rrjedhojë, për të ndikuar në vendimet, që marrim gjatë saj. Në fund të konferencës për shtyp, u kujtuan fjalët e Benediktit XVI, drejtuar klerit: “Njerëzit i kërkojnë meshtarit të jetë ekspert i fesë. Për fusha të tjera, ka ekspertë të tjerë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.