2012-06-25 12:11:29

Papa në Engjëllin e Tënzot: të martën do t’u çoj ndihmën e Kishës të dëmtuarve në Veri të Italisë. Reflektimi mbi shën Gjon Pagëzuesin


Do të shkoj në mes të dëmtuarve nga tërmeti, për t’u çuar “solidaritetin e krejt Kishës”. Papa Benedikti XVI ia kushtoi reflektimin e tij gjatë Lutjes së Engjëllit të Tënzot, vizitës së nesërme në zonat e Veriut të Italisë, që janë prekur nga tërmeti. Ati i Shenjtë falenderoi edhe besimtarët italianë për mbështetjen që i japin për veprat e tij të bamirësisë, duke pasur parasysh se dje kremtohej “Dita për bamirësinë e Papës”, gjatë së cilës, besimtarët japin lëmoshë e oferta për t’i dhënë mundësi Papës të ndërhyjë në favor të nevojtarëve. Gjithashtu, Benedikti XVI reflektoi edhe për festën liturgjike të djeshme, lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit.RealAudioMP3
Ata që mbështesin dorën e Papës, kur e shtrin në shenjë solidariteti për nevojtarët, kontribuojnë për zhdukjen e mjerimit në shumë anë të botës. E kësaj radhe, edhe në ndihmën për të dëmtuarit nga tërmeti, italianë, perëndimorë, që konsiderohen të pasur, por që këto ditë jetojnë në tenda, me pak mundësi për të vazhduar normalisht jetën. Tek ata, do të shkojë nesër, Benedikti XVI:
“Falenderoj të gjitha bashkësitë famullitare, familjet dhe besimtarët për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe bujare, në favor të shumë vëllezërve në vështirësi. Për këtë, kujtoj se në dashtë Zoti, do të shkoj për një vizitë të shkurtër në zonat e prekura nga tërmeti i fundit në Veri të Italisë. Do të doja që kjo të ishte shenjë solidariteti e gjithë Kishës, prandaj, i ftoj të gjithë të më shoqërojnë me lutje”.
Ati i Shenjtë u përqendrua më pas në festën e djeshme të lindjes së Shën Gjon Pagëzuesit. Jeta e tij, nënvizoi Papa, është dëshmi se “asgjë nuk është e pamundur për Zotin”. Paraardhës i Krishtit si me misionin, ashtu edhe me flijimin e jetës, shën Gjon Pagëzuesi është i vetmi shenjt, të cilit i kujtohet lindja. Kjo bëhet, sqaroi Benedikti XVI, sepse është e lidhur ngushtë me misterin e mishërimit të Birit të Zotit:
“Katër Ungjijtë e vënë shumë në dukje figurën e shën Gjon Pagëzuesit, si profet që mbyll Besëlidhjen e Vjetër e përuron të Renë, duke dëshmuar se Jezusi i Nazaretit është Mesia, i Shuguruari në Zotin. Vetë Jezusi do të flasë për shën Gjon Pagëzuesin në këtë mënyrë: ‘Përnjëmend po ju them: nga ata që u lindën prej grash nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi, megjithatë, më i vogli në Mbretërinë e qiellit, është më i madh se ai’”.
Ishte vetë shën Maria, nëna e Jezu Krishtit, ajo që shkoi për të ndihmuar kushërirën e saj Elizabetën, nënën e shën Gjonit. Gjest, që e afron Jezusin me Gjonin, të dy në bark të nënave të tyre; gjest, që të krishterët nuk duhet ta harrojnë, përfundoi Papa:
“Miq të dashur, Virgjëra Mari ndihmoi kushërirën e moshuar, Elizabeta, për ta çuar deri në fund shtatzaninë, ndërsa priste Gjonin. Ajo na ndihmoftë të gjithëve të ndjekim Jezusin, Krishtin, Birin e Hyjit, që Gjon Pagëzuesi paralajmëroi me përvuajtëri të madhe e zjarr profetik”.
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa përshëndeti në pesë gjuhë të ndryshme, mëse 40 mijë personat e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, në mesditë, pavarësisht nga dielli përvëlues.








All the contents on this site are copyrighted ©.