2012-06-22 18:01:25

U paraqit në Vatikan, Viti i Fesë: udhë për Ungjillëzimin e Ri.


U paraqit dje, pranë Sallës vatikanase të Shtypit, Viti i fesë, shpallur nga Benedikti XVI për periudhën 11 tetor 2012-24 nëntor 2013. Viti i Fesë, tha imzot Rino Fizikela, kryetar i Këshillit Papnor për Nxitjen e Ungjillëzimit të Ri, përmes një kalendari të pasur me ngjarje të mëdha, synon ta mbështesë fenë e shumë besimtarëve, të cilët, në jetën e tyre të përditshme, vijojnë, plot besim e shpresë, ta lëshojnë plotësisht vetveten në dorë të Zotit.
“Feja rritet e forcohet vetëm duke besuar” (Pf7). Në dritën e reflektimeve të Letrës Apostolike ‘Porta Fidei’, Benedikti XVI shpalli Vitin e Fesë, që do të nisë në përkim me 50-vjetorin e Koncilit II të Vatikanit (1962) e njëzet vjetorin e Katekizmit të Kishës Katolike (1992). Qëllimi kryesor i Vitit të Fesë, shpjegoi kryetari i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e Ri, imzot Rino Fizikela, është të mbështesë fenë e shumë besimtarëve që, në mundimin e përditshëm, ia besojnë, me bindje e guxim jetën e vet Zotit Jezus:
Viti i fundit i Fesë ishte ai, që u kremtua më 1968, me dëshirën për të kujtuar martirizimin e Shën Pjetrit Apostull, sipas traditës. Nuk duhet të harrojmë se ishte viti ’68 e se ’68-ta u kujton të gjithëve një çast të rëndësishëm të historisë. Papa, në këtë rrethanë, deshi ta përfundonte këtë Vit, me Besojmën e Fesë, realizuar me këtë rast, që kujtohet ende në ditët tona si “Besojma e popullit të Zotit”. Prej këndej duhet thënë se janë çaste të jashtëzakonshme, pavarësisht nga Jubilejtë: e pikërisht këto çaste të jashtëzakonshme, 50 vjetori i Koncilit II të Vatikanit dhe 20-vjetori i Katekizmit të Kishës Katolike, u shfrytëzuan për të reflektuar, posaçërisht në rrethanat e sotme të krizës së përgjithshme të njerëzimit. Ne nuk e fshehim se është edhe krizë feje”.
Në kontekstin e sotëm, që karakterizohet nga shekullarizmi, i cili e nxit njeriun të jetojë si të mos kishte Zot, shpjegon imzot Fizikela, Viti i Fesë propozohet si udhë, të cilën bashkësia e krishterë ua ofron shumë njerëzve, që kanë mall për Zotin e dëshirë për ta takuar përsëri. Objektivat e përcaktuara nga Papa për Vitin e Fesë në Letrën Apostolike ‘Porta Fidei’, ripërshkohen në një program, që përfshin jetën e përditshme të çdo besimtari dhe punën e zakonshme baritore, për ta gjallëruar Ungjillëzimin e Ri. Lidhur me këtë, Kongregata për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve miratoi formularin e Meshës së posaçme “Për Ungjillëzimin e Ri”. Një rol të dorës së parë për transmetimin e fesë dhe përtëritjen e frymës misionare, do të kenë, natën e Rrëshajëve, të gjitha lëvizjet, të vjetrat e të rejat:
“Uroj që të jetë një prani shumë domethënëse, edhe pse Viti i Fesë i nxit lëvizjet të rigjejnë, në Ungjillëzimin e Ri, një element të përbashkët pjesëmarrjeje për rritjen e Kishës”.
Ngjarja e parë e Vitit të Fesë do të jetë ajo e së dielës, 21 tetor, kur do të shpallen shenjtorë 6 martirë e dëshmitarë të fesë. Ky kremtim do të pasohet nga një mori nismash, që kanë në qendër të vëmendjes të rinjtë, lidhur edhe me DBR-në e Brazilit, si dhe laikët, përmes përvojës së Bashkëvëllazërive e të përshpirtërisë popullore:
“Përshpirtëria popullore është shprehje tejet e rëndësishme e jetës fetare, sepse pikërisht kjo jetë feje vërehet në mënyrë të veçantë, për shembull, në shenjtëroret. Shenjtëroret janë vend i zgjedhur për ungjllëzimin e ri e janë edhe hapësira të zgjedhura për lulëzimin e fesë. Miliona e miliona njerëz i vizitojnë çdo vit shenjtëroret, e qindra e qindra jetojnë në bashkëvëllazëri”.Viti i fesë ka stemën, që do të shoqërojë të gjitha kremtimet zyrtare, e edhe Himin e vet. Për t’i njohur nga afër ngjarjet kryesore të këtij Viti të jashtëzakonshëm, mund të hyni në kanalin përkatës të internetit , në gjuhët italiane, angleze, spanjolle, franceze, gjermane e polake.







All the contents on this site are copyrighted ©.