2012-06-22 19:44:47

Shenjtorët e javës së ardhshme


E diel 24 qershor, Kisha kremton të dielën e 12-të gjatë vitit kishtar, dhe festën e lindjen së Shën Gjon Pagëzuesit. Kalendari kujton edhe shenjtorët Gjoni e Festi, martirë. Shën Gjon Pagëzuesi është shumë i nderuar në vise të ndryshme shqiptare, sidomos në ato që mbajnë emrin e tij: Shëngjon ose Shëngjin. Kështu sot ishin në festë Hoti, Fushë Derveni, Shëngjini e Fushë Mamurrasi ( Shqipëri) dhe mbarë famullia e Zllakuqanit (Kosovë).

Të hënën më 25 qershor, bie përkujtimi i shën Gulielmit, abat, themelues i murgjërve të Montevergjine dhe i shën Galikanit, ipeshkëv i Embrunit. Liturgjia e festës së tyre na kujton se nuk jemi ne ata, që duhet ta gjykojmë të afërmin: tepër i cektë është vështrimi ynë e tepër i errësuar nga e keqja. Në se tregohemi të mëshirshëm në jetë, me mëshirë do të gjykohemi edhe në gjyqin e mbramë.

Të martën më 26 qershor, bie përkujtimi i shën Virgjilit, i shën Gjonit e Palit martirë dhe i shën Hosemaria Eskrivá de Balaguer, meshtar, themelues i Opus Dei. Liturgjia e së martes na kujton se njerëzit që e kanë zemrën të pastër, do të banojnë në shtëpinë e Zotit. Janë ata që e ruajnë çdo dhuratë të Zotit si thesar të çmuar dhe e bëjnë të japë fryte në marrëdhëniet me të tjerët. Kjo është rruga e sigurtë e shëlbimit. E kjo, edhe dita e festës së.

Të mërkurën më 27 qershor bie përkujtimi i shën Çirilit të Aleksandrisë, ipeshkëv e doktor i Kishës. Ai na kujton se njeriu njihet nga frytet e jetës së tij, dmth, nga veprat. Mos dëgjo fjalët, shiko veprat – është kriter, të cilin na e mëson vetë Jezu Krishti, që të jemi në gjendje ta dallojmë njeriun e vërtetë të Zotit nga profetët e rremë.

Të enjten më 28 qershor bie përkujtimi i shën Ireneut, ipeshkëv i Lionit e martir, njeri i fesë e bari besnik i grigjës që i qe besuar. Ky shenjtor kishte mësuar nga Bariu i Mirë ndjenjën e masës, pasurinë e doktrinës, zellin misionar, cilësi që duhet t’i bëjmë tonat, për të qenë miq të vërtetë të Jezusit.

Të premten e ardhshme me 29 qershor bie festa e Shën Pjetrit e e Shën Palit, Apostuj, kremtuar së bashku që në kohët e para të krishterimit. Këtyre dy kryeapostujve duhet t’u jemi mirënjohës, sepse me gjakun e tyre bënë të lulëzojë Kisha në shekuj. Kujtojmë se dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës e se trupi i Shën Pjetrit pushon në paqe në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa ai i Shën Palit, në Bazilikën e Ostienses gjithnjë në Romë. Shenjtorët Apostuj Pjetri e Pali kremtohen në shumë vise shqiptare. Kujtojmë së pari, se Katedralja e Tiranës i kushtohet Shën Palit, që prandaj edhe kremtohet shumë nga besimtarët e kryqetetit të Shqipërisë; por kremtohet edhe në Bajzë, ku ngrihet Kisha e gjithë Malësisë së Madhe, pastaj në Hajmel, në Shën Pjetër e në Dardhë, e edhe në Gjakovë të Kosovës ku Shën Pjetri e Pali janë pajtorët qiellor të bashkësisë katolike të këtij qyteti.

Të shtunën më 30 qershor bie përkujtimi i martirëve të parë të Kishës romake, festa e të cilëve na kujton thirrjen: “Bekuar qofsh, o Zot, Hyj besnik! Ti nuk i harron kurrë ata që dhurojnë gjakun për dashurinë tënde!”.

Të dielën që vjen më 1 korrik, Kisha do të kremtojë të dielën e 13-të gjatë vitit kishtar, e gjithnjë më 1 korrik kalendari përkujton edhe shën Julin e Aronin, martirë, shën Aronin, vëllain e Moisiut dhe shën Esterin, mbretëreshë që i njohim përmes Besëlidhjes së Vjetër të Biblës.

Nga kalendari historik kujtojmë se më 1 korrik të vitit 1643 vdiq ipeshkvi imzot Frang Bardhi, shkrimtar i letërsisë së vjetër shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.