2012-06-22 18:34:30

Rio+20: ekonomia nuk duhet të jetë i vetmi objektiv i zhvillimit njerëzor


Qëndrueshmëri, përgjegjësi, zhvillim, bashkëpunim, kthim zemrash e mendjesh kah Zoti: këto janë fjalët kryesore të thirrjes së Komisionit të Konferencave Ipeshkvnore të Bashkimit Evropian(COMECE) në Rio+20, konferenca e OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm, që vazhdon punimet në Rio-de-Zhaneiro të Brazilit. Kryetari i COMECE-s, kardinali Rajnhard Marks shpjegoi se nga pikpamja e krishterë, njohja e dinjitetit njerëzor është në bazën e çdo zhvillimi të qëndrueshëm, që synon të gjejë ekuilibrin ndërmjet nevojave shoqërore, atyre ekonomike e atyre ambientale, pa rrezikuar të ardhmen e brezave të rinj. Ekonomia nuk është thjesht grumbullim i të mirave materiale, theksoi kardinali, nuk është i vetmi objektiv i zhvillimit njerëzor. Duhen gjetur tregues të tjerë për matjen e zhvillimit, si arsimimi, apo zgjatja e jetës, respektimi i ambientit e drejtësia shoqërore, lufta kundër varfërisë e sigurimi i ujit të pijshëm dhe i kurave shëndetësore për të gjithë: elemente, që nuk flasin vetëm për Prodhimin e Brendshëm të një vendi. Është e nevojshme të kthehen zemrat e mendjet kah Zoti e të bëhemi më bujarë, më solidarë, të punojmë për një kulturë që e respekton Gjithësinë. Kjo është detyra e çdo të krishteri, përfundoi kreu i COMECE-s.








All the contents on this site are copyrighted ©.