2012-06-22 15:28:40

Përfunduan, në Romë, punimet e asamblesë së Bashkimit të Veprave në Ndihmë të Kishave Lindore (Roako).


Benedikti XVI kërkoi të mos kursehet asnjë përpjekje, edhe nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, për të krijuar kushtet që Siria të dalë nga situata e sotme e dhunës. Kërkoi edhe garancitë e nevojshme për ndihmën humanitare.
Ati i Shenjtë e bëri këtë thirrje, në fjalimin shumëgjuhësh, drejtuar rreth 80 pjesëmarrësve të Asamblesë se 85-të të Bashkimit të Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roako), të cilët i priti të enjten e kaluar në audiencë, në Sallën e Klementine, në Vatikan. Asambleja e Roako-s, e kujtojmë, u hap në Romë të hënën e kaluar.RealAudioMP3

“T’i besohet gjithçka Eukaristisë e frymëzimit nga Fjala Hyjnore”. Ky ishte urimi, që shprehu Kardinali Sandri, gjatë homelisë së Meshës, me të cilën u hap, në Kishën romake të Shën Marisë në Traspontinë, takimi i 85-të i Veprave të Ndihmës për Kishat Lindore (Roako). Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore kujtoi se misioni i Roako-s është të ngrejë zërin në mbrojtje të njerëzve të shtypur dhe u drejtoi përshëndetjen e mbarë Kishës universale, vëllezëve të vuajtur të Sirisë.
Nuk është vetëm veprimtari informative, por ndihmë konkrete, e përkushtuar e bujare, për ta bërë historinë në të cilën jetojmë, kohë shprese, pavarësisht nga varfëria e mjerimi, që shikojmë në të katër anët. Me këto fjalë kardinali Sandri e inkurajoi asamblenë, që merrte pjesë në hapjen e kremtimeve, me rastin e 85-vjetorit të Roako-s, që përpiqet të jetë shprehje e ndritshme e dashurisë së Kishës ndërmjet vëllezërve e motarve të Lindjes. E ky është edhe misioni, caktuar Roako-s nga Ungjilli: të denoncojë çdo plagë, që i hapet njeriut, bashkësisë në të cilën jeton dhe lirisë fetare. Është padi, që ushqehet nga dashuria për Zotin e gjen gjithnjë rrugë të reja për ta përhapur këtë dashuri në të katër anët e Lindjes së dërmuar nga konfliktet. E sidomos, kumtim i fjalës së Zotit, që bën të lindë jeta e vërtetë, e amshuar, atje ku dukej se do të mbretëronte përgjithnjë vetëm vdekja.
Hirësia e Tij kujtoi edhe Sirinë e dashur, kujtim i shoqëruar me lutje e gatishmëri për t’i lehtësuar sa më shumë, vuajtjet që pësojnë në korp e në shpirt këta vëllezër, gjithnjë më të munduar. Mundime, këto, që mblidhen në kelkun e Gjakut të Krishtit, të cilave vetëm Zoti mund t’u japë përgjigjen e vërtetë. Vetëm Biri i Zotit në Eukaristi, bën të rikthehet qetësia e jeta, atje ku sundonte vaji e dëshpërimi.

I pranishëm në takim edhe imzot Antuë Audo, kryetar i Karitasit të Sirisë. Ipeshkvi flet, në mikrofonin tonë, për emergjencat e popullsisë, mbi të cilën peshon rëndë një konflikt i përgjakshëm, që vijon prej një viti:

Përgjigje: - Jam kryetar i Karitasit që nga fundi i vitit të kaluar. Përgjegjësi jo e lehtë, në kuadrin e një krize kaq të rëndë ekonomike e politike. Duhet të jemi të pranishëm. Punojmë sidomos në Homs, ku ndjehet atmosfera e luftës civile e shumë familje janë larguar nga qyteti, në drejtim të fshatrave. Disa ipeshkvij të zonës po i ndihmojnë refugjatët. Po ndihmohen edhe banorët e Alepit, me ndihma ushqimore, mjekësore por edhe me sigurimin e kushteve për vijimin e shkollës. Karitasi punon në tre nivele kryesore. Në radhë të parë, në mbrojtje të shëndetit: kemi nevojë për ilaçe, sidomos për ndërhyrjet kirurgjike. Pastaj shkollat, duhen ndihmuar nxënësit e shkollave. E edhe refugjatët, që të gjejnë shtëpi e të paguajnë qiranë çdo muaj. Këto janë shqetësimet tona kryesore sot për sot.

Në Roako, në plan të parë, ishin edhe tensionet në Lindjen e Mesme e, sidomos, propozimi i Anp për ta radhitur Kishën e Lindjes së Krishtit të Betlehemit, në listën e “Trashëgimisë universale të UNESCO-s”, plan që Izraeli nuk e mbështet. Për këtë flet, në mikrofonin tonë, atë Pierbatista Picabala, Rojtar i Tokës Shenjte:

Përgjigje: - Që prej një viti, Autoriteti kombëtar palestinez (Anp), dëshiron të radhisë jo vetëm Bazilikën e Lindjes së Krishtit, por gjithë qytetin e vjetër të Betlehemit, duke përfshirë edhe Bazilikën, në listën e “Trashëgimisë universale të UNESCO-s”. Natyrisht Anp u këshillua edhe me Kishat, që kujdesen për Bazilikën, me Kishën greko-ortodokse e me Kishën katolike, që përfaqësohet nga Rojtaria e Tokës së Shenjtë si dhe me Kishën armeno-ortodokse. Kishat, në vijë parimore, nuk janë kundra një nisme të tillë. Shqetësohen vetëm për çastin e mënyrën e realizimit. Duhet pasur mirë parasysh se Viset e Shenjta janë gjithnjë nën kujdesin e bashkësive fetare, ndërsa kur është fjala për UNESCO-n, është qeveria ajo, që premton të merret me ruajtjen e tyre. Duke pasur, pastaj, parasysh, klimën e ndezur, në pikëpamje politike, në Tokën e Shenjë, urojmë që një propozim i tillë të jetë më i pjekur. Toka e Shenjtë nuk mund të përdoret për qëllime politike!







All the contents on this site are copyrighted ©.