Më 24 qershor kisha kremton Lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit
Më 24 qershor kalendari kishtar përkujton lindjen e Shën Gjon Pagëzuesit. Shën Gjon
Pagëzuesi qe dërguar për ti përgatitur udhët Mesisë, Jezu Krishtit Zot pranë popullit
dhe atë për ta sjell tek Shpëtimtari, Mesia. Gjoni e tregoi të pranishëm në mesin
e popullit pikërisht Qengjin e Hyjit, Shëlbuesin e njerëzimit që i merr mbi vete mëkatet
e njerëzimit dhe i falë e shlyen, prandaj Gjon Pagëzuesi edhe kërkonte nga populli
përgatitje shpirtërore për ta pritu e pranuar Mesinë me fe. Për këtë Gjoni predikoi
pagëzimin e pendesës dhe kthimin e njerëzve tek Hyji. Pra, me pak fjalë Gjoni
është profeti i mbramë i Besëlidhjes së Vjetër e Pararendësi i Krishtit. Gjon Pagëzuesi
shënon pikërisht vijën ndarëse ndërmjet Besëlidhjes së Vjetër e të Besëlidhjes së
Re, pra e përuron epokën Mesianike. Ai është personaliteti për të cilin Jezusi thotë:
“Asnjë profet nuk qe më i madh se Gjoni”. Një nënvizim ky i rëndësishëm në historinë
e shpëtimit që e bënë këtë shenjtor një pikë referimi e përherë aktual. Ishte
viti 28 para Krishtit. Që prej 15 vjetësh në fronin e Romës sundonte Tiberi perandor.
Sipas Shën Lukës ungjilltar, pikërisht në këtë kohë, nga stepat e Judesë, gjatë rrjedhës
së lumit Jordan, u ngrit një zë i fuqishëm e i qartë: zëri i Gjon Pagëzuesit. Me Gjonin
njihemi për herë të parë në ungjillin e Lukës, i cili tregon sesi Kryengjëlli Gabriel
e paralajmëroi babain e Gjonit, Zakarinë, një mbrëmje ndërsa po shërbente në tempull,
se do t’i lindte një djalë. Ungjilltarët e paraqesin Gjon Pagëzuesin përmes përshkrimit
të misionit të lavdishëm, që arrin kulmin me martirizimin e tij, në atmosferën e një
feste të shthurur në pallatin e Herodit. Por skena kryesore, që na propozon liturgjia
për Shën Gjon Pagëzuesin, përmes Ungjillit sipas Mateut, është ajo në të cilën vetë
Krishti e larton Gjonin me shprehjen: “Përnjëmend po ju them: ndër ata që u lindën
prej grash, nuk u ngrit asnjë më i madh se Gjon Pagëzuesi”. Nga ana tjetër ndër
ungjijtë vërehet njëfarë ngurrimi kur flitet për Gjonin, duke pasur parasysh se nxënësit
e tij nuk donin të largoheshin prej mësuesit të tyre për të shkuar e ndjekur Jezusin,
ndërsa vetë Gjoni kishte pohuar se qe i padenjë edhe për t’i zgjidhur lidhëzat e sandaleve.
E kjo sepse, siç pohon në Ungjillin e tij Shën Gjoni Ungjilltar duke përdorur simbolet
e dhëndrit, të nuses e të mikut të dhëndrit, “Gjon Pagëzuesi nuk ishte drita, por
duhet të bënte dëshmi për dritën”. Madje vë në gojën e Paraardhësit këto fjalë: “Unë
nuk jam Krishti (Mesia) por jam i dërguari para tij. Kush ka nusen, është dhëndër.
Dashamiri i dhëndrit, i rri pranë e e dëgjon zërin e dhëndrit. I tillë është, pra
gëzimi im: arriti në kulm! Ai duhet të rritet e unë të zvogëlohem!” Shën Gjon Pagëzuesi
është padyshim profeti i fundit i Besëlidhjes së Vjetër, i rrethuar me aureolën e
lumturisë ( së bashku me Virgjërën Mari, është i vetmi shenjt të cilit, sipas kalendarit
liturgjik të Kishës, i kremtohet jo vetëm vdekja, por edhe lindja), por ai mbetet
gjithnjë vetëm një gisht tregues i drejtuar nga Krishti, që është qendra e vërtetë
e historisë së shëlbimit. Prandaj në poliptikun e elterit të Izenhaimit, që ruhet
në muzeun e qytetit alsasian të Kolmarit, piktori Matia Grynevald që e pikturoi veprën
ndërmjet viteve 1512 e 1516 e ka vendosur Shën Gjon Pagëzuesin tek këmbët e të Kryqëzuarit
me gishtin tregues të lartuar drejt Krishtit, i vetmi që duhet të “rritet” në fenë
e në adhurimin e nxënësve të vet.