Ipeshkvi i Mantovës, imzot Busti: vizita e Papës është ngushëllim për të dëmtuarit
nga tërmeti
Popullsitë e dëmtuara nga tërmeti në veri të Italisë po presin me padurim vizitën
e Papës Benedikti XVI, i cili do të shkojë atje të martën, më 26 qershor. Emilia Romanja
është rajoni më i prekur, por edhe zonat kufitare me të kanë pësuar dëme të shumta,
sidomos shembje shtëpish e kishash. Ati i Shenjtë shkon për t’i ngushëlluar njerëzit
me praninë e vet, siç thekson ipeshkvi i Mantovës, imzot Roberto Busti: Shohim
te Papa jo vetëm afërsinë me fjalë e me lutje, por edhe afërsinë konkrete, shumë konkrete,
që si ipeshkvij, e kemi provuar menjëherë pas asamblesë së përgjithshme të Konferencës
Ipeshkvnore Italiane, kur deshi të na takonte, deshi të dëgjonte prej nesh ç’kishte
ndodhur. Ishim vetëm në fillim të tërmetit, sepse vala e dytë erdhi disa ditë më pas.
Papa tregoi menjëherë interes konkret e na dërgoi një ndihmë të veçantë, për të përballuar
nevojat e para. Prandaj, me gëzim e shpresë të madhe, e falenderoj Papën, që vjen
në këto vende të dëmtuara. Vizita e tij është ndihmë e jashtëzakonshme: u jep ngushëllim
të gjithë njerëzve, që jetojnë me këtë fatkeqësi kaq të madhe, kaq të trishtuar. Si
po i ndihmon Kisha njerëzit, në këtë situatë? Ne po i ndihmojmë, duke bashkëpunuar
me kampet e Mbrojtjes Civile. Karitasi është aty për ta shoqëruar popullsinë me vullnetarë,
duke e dëgjuar, duke e argëtuar edhe në tenda. Animatorët tanë janë marrë menjëherë
me fëmijët e me të rinjtë. Pastaj, po mendojmë të ngremë qendra shumëfunksionale për
veprimtaritë liturgjike e shoqërore, me ndihmën e Karitasit Italian. Duam të rihapim
kishat. Strukturat tona janë strehë për të gjithë njerëzit, që e dinë se mund të shkojnë
atje e të gjejnë një fjalë të mirë dhe ndihmë.