2012-06-22 18:34:11

Imzot Franko: asnjë ndryshim në qëndrimin e Selisë së Shenjtë për Jeruzalemin Lindor


Ndër temat e asamblesë së Bashkimit të Veprave për Kishat Lindore (Roaco), që u zhvillua këto ditë në Romë, edhe gjendja në Tokën e Shenjtë. Disa zëra në shtyp pretenduan se qëndrimi i Selisë së Shenjtë për Jeruzalemin Lindor ka ndryshuar. Të dëgjojmë sqarimin e nuncit apostolik në Izrael, imzot Antonio Franko, njëkohësisht edhe delegat apostolik në Palestinë:
Dua të them se s’ka asgjë për të sqaruar, sepse qëndrimi i Selisë së Shenjtë për Jeruzalemin Lindor është shumë i qartë! Është pohuar në Marrëveshjen Bazë me Organizatën për Çlirimin e Palestinës, në vitin 2000, e do të përmendet sërish, nëse përfundon mirë marrëveshja, që po diskutojmë tani me palestinezët. Kjo s’ka të bëjë aspak me Marrëveshjen, që po hartojmë me Izraelin, sepse ajo flet për gjendjen e Kishës, sidomos për çështjet fiskale dhe veprimtaritë e saj në vend. Nuk ka përcaktim gjeografik, nuk ka absolutisht asnjë fjalë për ndërtesa apo zona në Jeruzalemin Lindor. Pra, nuk kemi asnjë ndryshim.








All the contents on this site are copyrighted ©.