2012-06-22 19:42:55

Atë Lombardi për Ditën Botërore të Refugjatit: Të vdesësh nga shpresa


Dita Botërore e Refugjatit, që u kremtua më 20 qershor, i dha mundësinë mbarë planetit të reflektojë për gjendjen e sa e sa njerëzve, të cilët ikin nga shtëpitë e tyre, pa e kthyer kokën mbrapa, të detyruar nga luftrat e nga persekutimet. Gjendja është mëse e njohur për shqiptarët, të cilët e kanë përjetuar atë në lëkurën e tyre, me luftën në Kosovë, por edhe me ikjet masive në fund të diktaturës komuniste në Shqipëri. Këtij argumenti, ia kushton editorialin javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Të vdesësh nga shpresa”: ky është titulli paradoksal i mbrëmjes së lutjes, organizuar në Romë, me rastin e Ditës Botërore të Refugjatit, nga shoqatat e impenjuara në këtë fushë. Lutje në kujtim të atyre, që kanë humbur jetën, gjatë udhëtimeve dramatike për të ikur nga persekutimet, nga dhunimi i të drejtave të njeriut, nga uria… nga shumë, nga tepër vende të botës.
Vdesin të asfiksuar në kamionë, vdesin nga etja e nga uria, duke përshkuar shkretëtira, vdesin të sulmuar nga plaçkitësit, vdesin, duke kaluar lumenj e male, vdesin, duke u përpjekur të kapërcejnë detin, të shtypur si sardele në barkat më të vogla e më të pasigurta, që ekzistojnë. Flitet për 20 mijë të vdekur gjatë udhëtimeve për në Evropë, vetëm në vitet e fundit. Gati 3000 vetë, gjatë këtij viti, u mbytën, duke u përpjekur të arrijnë në Itali, përmes Mesdheut.
Por nuk ikin vetëm drejt vendeve të pasura. Gjatë këtyre muajve, mëse 70 mijë vetë u strehuan në kampin e Mberrës në Mauritani, për të ikur nga Mali, i përçarë nga lufta civile. E në sa zona të Afrikës, konfliktet kanë bërë të lindin kampe refugjatësh pa fund?
Historia e secilit prej këtyre njerëzve në ikje, është njëra më e dhimbshme se tjetra. Nga kampi i Mberrës arritën deri në Perëndim tregimet e tri grave, shumë të reja, me fëmijë të vegjël, burrat e të cilave janë vrarë gjatë konfliktit. Gra të pambrojtura e të brishta, shpesh viktima të abuzimeve seksuale… por sa e sa të tjera, sa e sa të tjerë? Pastaj, si e nga t’ja fillosh, kur s’ke më asgjë, kur s’të kanë mbetur më as rrënjët? Përveç strehimit e ushqimit, këta njerëz kanë nevojë që dikush t’i dëgjojë, t’i kuptojë, t’u japë mikpritje humane e shpirtërore, në mënyrë që t’u rikthehet të paktën një minimum besimi tek të tjerët e tek jeta, sepse prej asaj pike rifillon shpresa. Është një nga sfidat më të mëdha për besimtarët e për njerëzit vullnetmirë, që duan vërtet të nisen nga të fundmit për të ndërtuar një botë më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.