2012-06-21 13:49:19

Ratifikohet marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë e Malit të Zi. Kardinali Bertone: Kisha impenjohet për të mirën e vendit


Sot paradite, Në Sallën e Traktateve të Pallatit Apostolik, Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç shkëmbyen dokumentet për ratifikimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet dy vendeve, nënshkruar në Selinë e Shenjtë më 24 qershorin e vitit të kaluar.
“Ditë e rëndësishme për marrëdhëniet dypalëshe”: kështu tha kardinali Bertone, në përfundim të ceremonisë. Selia e Shenjtë e Mali i Zi, vazhdoi ai, janë të bindur se ushtrimi i lirisë fetare së çdo qytetari dhe të çdo bashkësie besimtarësh, sipas një kuadri që përkon me parimet e kulturës së sotme perëndimore, është kusht i domosdoshëm për mbrotjen e të drejtave të njeriut në të gjithë planetin. Kisha Katolike, nënvizoi prelati, nuk kërkon privilegje për vete, por mundohet të kontribuojë për të mirën e përbashkët të vendit, në gjendjen e krijuar pas ndryshimeve të viteve të fundit.
Nga ana e tij, presidenti Vujanoviç, theksoi rëndësinë e njohjes së Malit të Zi nga Vatikani, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2006, dhe nënvizoi faktin se përfaqëson vendin e parë me shumicë ortodokse, që ka nënshkruar një marrëveshje me Selinë e Shenjtë. Kjo dëshmon se Podgorica e merr seriozisht ekumenizmin dhe dialogun ndërfetar, që qëndrojnë në bazat e Malit të Zi, që në fillimet e këtij shteti, urë ndërmjet Lindjes e Perëndimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.