Përfunduan në Romë, punimet e asamblesë së Bashkimit të Veprave në Ndihmë të Kishave
Lindore (ROACO).
“T’i besohet gjithçka Eukaristisë e frymëzimit nga Fjala Hyjnore”. Ky ishte urimi,
që shprehu të martën e kaluar Kardinali Sandri, gjatë homelisë së Meshës, me të cilën
u hap, në Kishën romake të Shën Marisë në Traspontinë, takimi i 85-të i Veprave të
Ndihmës për Kishat Lindore (Roako). Prefekti i Kongregatës për Kishat Lindore kujtoi
se misioni i Roako-s është të ngrejë zërin në mbrojtje të njerëzve të shtypur dhe
u drejtoi përshëndetjen e mbarë Kishës universale, vëllezëve të vuajtur të Sirisë. Nuk
është vetëm veprimtari informative, por ndihmë konkrete, e përkushtuar e bujare, për
ta bërë historinë në të cilën jetojmë, kohë shprese, pavarësisht nga varfëria e mjerimi,
që shikojmë në të katër anët. Me këto fjalë kardinali Sandri e inkurajoi asamblenë,
që merrte pjesë në hapjen e kremtimeve, me rastin e 85-vjetorit të Roako-së, e cila
përpiqet të jetë shprehje e ndritshme e dashurisë së Kishës ndërmjet vëllezërve e
motarve të Lindjes. E ky është edhe misioni, caktuar Roako-së nga Ungjilli: të denoncojë
çdo plagë, që i hapet njeriut, bashkësisë në të cilën jeton dhe lirisë fetare. Është
padi, që ushqehet nga dashuria për Zotin e gjen gjithnjë rrugë të reja për ta përhapur
këtë dashuri në të katër anët e Lindjes së dërmuar nga konfliktet. E sidomos, kumtim
i fjalës së Zotit, që bën të lindë jeta e vërtetë, e amshuar, atje ku dukej se do
të mbretëronte përgjithnjë vetëm vdekja. Hirësia e Tij kujtoi edhe Sirinë e dashur,
kujtim i shoqëruar me lutje e gatishmëri për t’i lehtësuar sa më shumë, vuajtjet
që pësojnë në korp e në shpirt këta vëllezër, gjithnjë më të munduar. Mundime, këto,
që mblidhen në kelkun e Gjakut të Krishtit, të cilave vetëm Zoti mund t’u japë përgjigjen
e vërtetë. Vetëm Biri i Zotit në Eukaristi, bën të rikthehet qetësia e jeta, atje
ku sundonte vaji e dëshpërimi.
I pranishëm në takim edhe imzot Antuë Audo,
kryetar i Karitasit të Sirisë. Ipeshkvi flet, në mikrofonin tonë, për emergjencat
e popullsisë, mbi të cilën peshon rëndë një konflikt i përgjakshëm, që vijon prej
një viti:
Përgjigje: - Jam kryetar i Karitasit që nga fundi
i vitit të kaluar. Përgjegjësi e rëndë, në kuadrin e një krize kaq të rëndë ekonomike
e politike. Duhet të jemi të pranishëm. Punojmë sidomos në Homs, ku ndjehet atmosfera
e luftës civile e shumë familje janë larguar nga qyteti, në drejtim të fshatrave.
Disa ipeshkvij të zonës po i ndihmojnë refugjatët. Po ndihmohen edhe banorët e Alepit,
me ndihma ushqimore, mjekësore por edhe me sigurimin e kushteve për vijimin e shkollës.
Karitasi punon në tre nivele kryesore. Në radhë të parë, në mbrojtje të shëndetit:
kemi nevojë për ilaçe, sidomos për ndërhyrjet kirurgjike. Pastaj shkollat, duhen ndihmuar
nxënësit e shkollave. E edhe refugjatët, që të gjejnë shtëpi e të paguajnë qiranë
çdo muaj. Këto janë shqetësimet tona kryesore sot për sot.
Në Roako, në
plan të parë, ishin edhe tensionet në Lindjen e Mesme e, sidomos, propozimi i Anp
për ta radhitur Kishën e Lindjes së Krishtit të Betlehemit, në listën e “Trashëgimisë
universale të UNESCO-s”, plan që Izraeli nuk e mbështet. Për këtë flet, në mikrofonin
tonë, atë Pierbatista Picabala, Rojtar i Tokës Shenjte:
Përgjigje:
- Që prej një viti, Autoriteti kombëtar palestinez (Anp), dëshiron të radhisë
jo vetëm Bazilikën e Lindjes së Krishtit, por gjithë qytetin e vjetër të Betlehemit,
duke përfshirë edhe Bazilikën, në listën e “Trashëgimisë universale të UNESCO-s”.
Natyrisht Anp u këshillua edhe me Kishat, që kujdesen për Bazilikën, me Kishën greko-ortodokse
e me Kishën katolike, që përfaqësohet nga Rojtaria e Tokës së Shenjtë si dhe me Kishën
armeno-ortodokse. Kishat, në vijë parimore, nuk janë kundra një nisme të tillë. Shqetësohen
vetëm për çastin e mënyrën e realizimit. Duhet pasur mirë parasysh se Viset e Shenjta
janë gjithnjë nën kujdesin e bashkësive fetare, ndërsa kur është fjala për UNESCO-n,
është qeveria ajo, që premton të merret me ruajtjen e tyre. Duke pasur, pastaj, parasysh,
klimën e ndezur, në pikëpamje politike, në Tokën e Shenjë, urojmë që një propozim
i tillë të jetë më i pjekur. Toka e Shenjtë nuk mund të përdoret për qëllime politike!