2012-06-21 13:49:49

Kardinali i Bolonjës, Kafarra, viziton të dëmtuarit nga tërmeti: të lumtur e mirënjohës për vizitën e Papës.


Të marten e ardhshme, Papa do të jetë në Rovereto di Novi, ndërmjet të dëmtuarve nga tërmeti, për t’u shprehur afërsinë dhe solidaritetin. Kardinali Kafarra, kryeipeshkëv i Bolonjës dhe kryetar i Konferencës së ipeshkvijve katolikë të Emilia Romanjës, në mikrofonin tonë, tregon si po e presin popullsitë e kësaj zone vizitën e Papës:

Përgjigje: - Kalova edhe një herë, në disa nga zonat e Çentos, të dëmtuara nga tërmeti, për t’u takuar përsëri me meshtarët e për t’i inkurajuar, për t’i ndihmuar. Duhet të theksoj se po japin një dëshmi vërtet heroike, duke ndarë dhimbjen e shpresat me njerëzit e tronditur. I kanë mbledhur në një park të gjithë fëmijët e zonës. Isha edhe unë me ta, e u mundova t’i ndihmoj, që të ndjehen më të qetë.

Pyetje: - Të marten, Papa do të jetë në Rovereto di Novi, ndërmjet të dëmtuarve nga tërmeti, këtë herë jo vetëm shpirtërisht, por edhe fizikisht pranë tyre...

Përgjigje: - Është një gjest i mrekullueshëm, që po bën Ati i Shenjtë; shumë i vlerësuar si nga besimtarët, ashtu edhe nga meshtarët, të cilët e shikojnë si shprehje të dashurisë së Benediktit XVI për këto popullsi, të goditura nga një tragjedi kaq e tmerrshme. Kur u thashë fëmijëve se Papa do të vijë t’i takojë, shpërtheu një duartrokitje e fuqishme.

Pyetje: - Si e përballoi tragjedinë e tërmetit, bashkësia juaj, e cila vijon të lëkundet që prej një muaji? Mund të na bëni një bilanc?

Përgjigje: - Besoj se ishte përvoja e një gjëje, që askush nuk e priste. Më pas, u panë aspektet më të bukura të kulturës së popullit tonë; shprehja e një solidariteti prekës, e ndihmës reciproke, e bashkësisë së vërtetë e edhe dëshmia e madhe e meshtarëve, që jetojnë në çadra, në gjirin e grigjës së tyre.

Pyetje: - Roli i Kishës pranë të dëmtuarve nga tërmeti?
Përgjigje: - Ishte mbështetja më e rëndësishme, edhe për institucionet e shoqërisë civile. Kur shkova atje për herë të parë, pas lëkundjes fillestare, shumë njerëz kishin humbur gjithçka e u vinin në mendje vetëm fjalët: “Mos u largoni, rrini me ne, kemi nevojë për praninë tuaj”.







All the contents on this site are copyrighted ©.