Atë Lombardi: në të ardhmen, Radio Vatikani do të vazhdojë misionin e vet në shërbim
të Ungjillit e të Kishës
Të dashur dëgjues, transmetojmë sot, pjesën e fundit të intervistës me drejtorin tonë
të përgjithshëm, atë Federiko Lombardi mbi ndryshimet epokale në Radio Vatikan. Ju
kujtojmë se, duke filluar nga 1 korriku, programet tona nuk do të transmetohen më
në valë të mesme e në valë të shkurtra, por vetëm me internet, në faqen radiovaticana.org,
dhe me bashkëpunimin e radiove lokale. Në rastin e programit shqip, ritransmetimi
do të bëhet nga Radio Maria. Por të kthehemi në intervistën me atë Lombardin, i cili,
gjatë mëse 20 vjetëve në krye të Radios së Papës, e ka parë atë të shndërrohet vazhdimisht,
sidomos pas revolucionit të komunikimit dixhital, aq sa është kthyer në diçka tjetër,
që nuk është vetëm radio. Si do të jetë e ardhmja? Rruga bëhet ditë për ditë.
Prandaj, për ne, është e vështirë të parashikojmë si do të jetë Radio Vatikani pas
dhjetë vjetësh. Siç kujtoj shpesh, 15 vjet më parë, askush nuk e dinte ç’mund të ishte
interneti, por sot, jeta jonë është plot me të. Ç’do të bëhet pas 15 vjetësh, sinqerisht,
nuk e di. Por ne mundohemi ta ndjekim zhvillimin dhe e kemi bërë me vetëdije, pikërisht
duke parashikuar se një lloj teknologjie mund të perëndojë, ose të jetë më pak e nevojshme
e duke përqendruar kështu vëmendjen në qendër të misionit tonë, në kumtimin e Ungjillit,
të mesazhit të Kishës në botën e sotme, në shërbimin e Papës për botën e sotme, duke
e komunikuar në sa më shumë gjuhë të ndryshme, për të gjithë popujt e botës. Ky është
thelbi i misionit tonë. Teknikat mund të ndryshojnë, por gjithnjë duhet t’i shfrytëzojmë
sa më mirë të jetë e mundur për realizimin e këtij misioni. Në 20 vjetët, që jam këtu,
e kam parë të ndryshojë rrënjësisht botën përreth meje: studiot, në të cilat punojmë,
janë rinovuar krejtësisht e, edhe mënyra e punës së redaktorëve dhe e teknikëve. Do
të vazhdojë kështu, me “Zhvillim të shpejtë”, siç titullohej letra e fundit e Papës
Gjon Pali II mbi mjetet e komunikimit shoqëror. Unë nuk ia kam idenë si do të jetë,
por ecim përpara ditë për ditë, duke u përpjekur të kuptojmë ç’po ndodh e cilat janë
mundësitë e reja që hapen. Për mua, ka qenë gjithnjë e rëndësishme të mos i përqendrojmë
forcat vetëm në një rrugë, pasi mund të mos jetë ajo, që do të zhvillohet në të ardhmen,
por të jemi të pranishëm në një gamë të gjerë udhësh, natyrisht, duke pasur parasysh
fondet e njerëzit në dispozicion. Për shembull, sigurisht që interneti funksionon.
Por, shohim se radioja në FM(frekuencë e moduluar) mund të bëhet edhe dixhitale, në
formatin Dab; se mund të kemi platforma të reja, përmes të cilave, shërbimet tona
kalojnë nga interneti në celularë, ose në mjete të tjera. Shumë udhë! E rëndësishme
është të dimë ç’të themi, ta kemi të qartë thelbin e misionit, të jemi të bindur,
të kemi lajme të mira për t’i dhënë njerëzimit – Ungjillin, pra, Lajmin e Mirë – e
shqetësimi ynë i krishterë për të mirën e të gjithëve të na motivojë për t’ia çuar
këtë Lajm atyre që duan ta dëgjojnë, me celular, me kompiuter, me valë herciane…s’ka
rëndësi mjeti.