Të dielën, përurohet Katedralja e re ortodokse në Tiranë.
Të dielën e ardhshme, bashkësia ortodokse e Tiranës dhe e gjithë Shqipërisë është
në festë. Do të përurohet Katedralja e re e Kishës Ortodokse Autoqefale në zemër të
kryeqytetit. Ndërtesë madhështore kulti, për të cilën u deshën 8 vjet punë. Më 24
qershor, në orën 9.00. në katedralen e re, kushtuar “Ngjalljes së Krishtit”, Fortlumturia
e Tij Anastas Janullatos do të kremtojë ceremoninë e Thiranìksjes e më pas Liturgjinë
Hyjnore të Shën Gjon Krizostomit. Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë
mbush edhe 20-vjetorin e ardhjes në krye të ortodoksëve. Pasdite, ai do të ofrojë
një koncert në Amfiteatrin e Madh të katedrales. Me këtë rast, nga Italia do të
niset një grup arbëreshësh të Kishës katoliko-bizantine të Shën Athanasit në Romë,
të cilët do të marrin pjesë në këtë përurim. Nga data 22 deri më 25 qershor, ata do
të takohen edhe me eksponentët kryesorë të feve në Shqipëri. Ndër të tjera, do t’i
bëjnë një vizitë, kryeipeshkvit katolik të Tiranë-Durrësit, imzot Rrok Mirdita, ndërsa
në Shkodër do të luten në shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë.