2012-06-20 15:56:58

Papa në audiencën e përgjithshme: t’i jepet fund dhunës e hakmarrjes në Nigeri, të mbrohet liria e fesë.


Thirrje e fuqishme e Papës për Nigerinë, në audiencën e përgjithshme. Ati i Shenjtë kërkoi të hiqet dorë nga rruga e hakmarrjes e çdo njeri ta praktikojë lirisht fenë e vet. Me këto fjalë e përfundoi Benedikti XVI audiencën e përgjithshme, mbajtur sot paradite, në Sallën e Palit VI. Katekizmin Ati i Shenjtë ia kushtoi lutjes, sipas Shën Palit, duke u përqendruar posaçërisht tek Kapitulli i parë i Letrës drejtuar Efezianëve, që nis me një himn bekimi e falënderimi, drejtuar Zotit.
Benedikti XVI ndjek me shqetësim të thellë lajmet që vijnë nga Nigeria. Në audiencën e përgjithshme mendimi i tij shkoi në vendin afrikan, ku, kujtoi, vijojnë atentatet terroriste, kryesisht kundër besimtarëve të krishterë. Lartoi, prandaj lutjen për të vdekurit e për të gjithë ata, që vuajnë:
“U bëj thirrje shkaktarëve të dhunës t’i japin fund menjëherë derdhjes së gjakut të njerëzve të pafajshëm. Uroj edhe të nisë sa më shpejt bashkëpunimi ndërmjet të gjitha shtresave shoqërore të Nigerisë, që t’i pritet rruga hakmarrjes e të gjithë qytetarët të punojnë për ndërtimin e një shoqërie, në të cilën mbretërojnë paqja e pajtimi e mbrohen plotësisht të drejtat e secilit, për ta praktikuar lirisht fenë e vet”.
Para kësaj thirrjeje, duke u ndaluar tek Letra drejtuar Efezianëve, Papa nënvizoi se lutja jonë zakonisht është thirrje për ndihmë në çaste të vështira, ndërsa duhet të jetë, mbi të gjitha, lavdërim e falënderim, lartuar Zotit. Në vijim Benedikti XVI vuri në dukje edhe se lutja i pastron, i dlir dëshirat tona, e edhe zemrat tona. Kur lutja ushqen jetën tonë shpirtërore, vërejti Shenjtëria e Tij, ne bëhemi të aftë ta ruajmë në një ndërgjegje të pastër, atë që Shën Pali e quan “Misteri i fesë”:
Lutja, që kthehet në zakon, në përpjekjen për të qenë së bashku me Zotin, lind burra e gra, që nuk pushtohen nga egoizmi, nga dëshira për të pasur, nga etja për të sunduar mbi të tjerët, për të marrë, por nga dëshira për të dhënë, nga etja për të shërbyer, të frymëzuar nga vetë Zoti; e vetëm kështu mund të çohet një rreze drite në errësirën e botës”.
Hyji, tha më pas Papa, duke vijuar t’i bëjë jehonë Apostullit të Popujve, na thirri në jetë e na thërret në udhën e shenjtërisë. E, shtoi, këtë udhë Zoti e zgjodhi që para se të krijonte botën. Jemi që prej kohëve të pakohë, në planin e Zotit, në mendimin e tij:
“Thirrja për shenjtëri, domethënë, bashkimi me Zotin, i përket planit të Tij të amshuar, që shtrihet në histori e i pushton të gjithë burrat e gratë e botës, sepse është thirrje universale. Zoti nuk përjashton askënd e plani i tij është thjesht plan dashurie”.
Papa vuri theksin edhe mbi bukurinë e Krijuesit, që duket në krijesat e tij, siç këndon Shën Françesku i Asizit në ‘Këngën’ e tij të famshme, kushtuar krijesave:
“Ka rëndësi ta sodisim me vëmendje tani, në kohën e pushimeve, bukurinë e krijimit e të shikojmë sesi në të, pasqyrohet bukuria e vetë Zotit”.
Në çastin përfundimtar, duke iu drejtuar shtegtarëve italianë, Papa përshëndeti në mënyrë të posaçme disa grupe, ardhur nga famullitë e ndryshme, për të filluar kremtimet e vitit kushtuar Shën Rrokut si dhe tetëqind vjetorit të bisedës së Shën Françeskut me dallëndyshet.
Ngjarja, që na çon tetëqind vjet mbrapa, na kujton sesi një ditë, në sa Shenjti i fliste popullit në Sheshin e Avianos, një trumbë dallëndyshesh pingëronte aq me forcë, sa Françesku u detyrua t’u drejtohej zogjve me fjalët: “Të dashura dallëndyshe, tani më takon mua të flas, sepse ju, më duket, e kryet predikimin tuaj”. Dallëndyshet heshtën, për çudinë e madhe të turmës, derisa Shenjti e përfundoi fjalën. E njerëzit thanë të çuditur: “Ky njeri është me të vërtetë shenjt”. Rrëfimi i lashtë na kujton se gjatë pushimeve mund edhe të flasim nga pak me natyrën që na rrethon, pasqyrë e gjallë e vetë Zotit.
Së fundi Papa, duke kujtuar se muaji i qershorit i kushtohet Zemrës së Krishtit, i ftoi posaçërisht të rinjtë të mësohen për të dashur në shkollën e kësaj Zemre Hyjnore.







All the contents on this site are copyrighted ©.