Kosova aplikon për anëtarësim në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik
Kosova ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik,
e njohur me emrin OIC, transmeton KTV njoftimin. Sipas agjencisë së lajmeve “MENA-FN”
nga Lindja e Mesme, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Ekmeleddin Ihsanoglu,
e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e përhershme
e kësaj organizate. “Kosova ka vuajtur nga padrejtësia dhe represioni nën një
administratë që nuk i respektonte të drejtat politike, religjioze dhe kulturore të
njerëzve të atij vendi. Dhe pas njohjes së nga më shumë se 90 shtete, tani organizata
jonë po pret që Kosova të bëhet anëtare e plotë e OKB-së dhe e OIC-së”, ka thënë Ihsanoglu.
Në komunikatat zyrtare të Qeverisë së Kosovës për takimin me Ihsanoglun nuk është
përmendur askund mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit
Islamik, që përfshin vendet myslimane.