Kalendari i 20 qershorit kujton shën Silverin papë e martir.
Kalendari i 20 qershorit përkujton Shën Silverin papë e martir. Jetën e papës shenjt
Silverit mund ta tregojmë me dy fjalë: me origjinë nga Kampanja, iu desh të përballonte
tmerret e luftës greko-gotike, që zgjati 18 vjet. Gjatë këtyre viteve, u burgos e
u internua në ishullin e Poncës, ku edhe vdiq. Por sa ngatërresa, vuajtje e poshtërime
fshihen pas këtyre pak fjalëve. Ishte bir i një pape tjetër shenjt, Ormisdës, i zgjedhur
pasi kishte shërbyer në Kishë si diakon e kishte mbetur i vejë. Ndërsa Silveri u ul
në fronin e Shën Pjetrit pas Agapitos I, vdekur në Kostandinopojë më 22 prill 536.
Papnia e tij qe e shkurtër e tepër trazuar. U ngatërrua, pa dashur, në luftërat politike
e fetare, që kishin përfshirë Italinë, për sundimin e së cilës ndesheshin me armë
Bizanti e Ostrogotët, në sa në lindje vijonte veprimtaria e grupeve të monofizitëve,
që mohonin natyrën njerëzore të Krishtit, të përkrahur nga perandoresha Teodora. Kujtojmë
se pasojë e të kësaj herezie, të dënuar në vitin 451 nga Koncili i Kalçedonisë, ishte
shkëputja e Kishës kopte, armene e jakobite të Sirisë. Pak kohë pas fillimit të
papnisë së Silverit, mbrojtësi i tij, Teodati, u rrëzua nga froni e u mbyt nga gotët.
Te portat e Romës u dukën ushtritë ostrogote, që rrethuan qytetin. Filloi, nën ndikimin
e fortë të Bizantit, lufta për pushtimin e Romës e të fronit papnor, që përfshiu gjithë
klerin e kishës universale. Papa u akuzua se donte ta dorëzonte Romën në duart e armikut,
i cili nisi një sulm të rreptë kundër mureve të qytetit të rrethuar. Silverin e kapën,
e zhveshën nga rrobat e papnisë e e veshën si murg të thjeshtë. Në vend të tij
zgjodhën Vigjilin (537-555), ndërsa Silverin e internuan në Patara të Liçies. Ipeshkvi
i vendit, i revoltuar për këtë ndërhyrje të turpshme të mbretërve në çështjet e fronit
të Shën Pjetrit, shkoi në Kostandinopojë, ku protestoi pranë Perandorit Justinian,
duke pohuar se në botë mbretër ka sa të duash, po papa është një i vetëm e mbretërit
nuk kanë kurrfarë të drejte ta dëbojnë nga froni, besuar nga vetë Krishti Kryetarit
të Apostujve e pasardhësve të tij. Perandori, i trembur, e ktheu Silverin në Romë
me qëllim që t’i njihej pafajësia, gjë që shkaktoi reagimin e papës Vigjili, i cili
jo vetëm që nuk e shfajësoi Silverin por, më 11 nëntor të vitit 537, e detyroi të
abdikonte dhe e internoi në ishullin Palmaria (Ponca e sotme), ku vdiq nga torturat
e nga uria më 2 dhjetor 538. Trupi i Silverit nuk u mbart në Romë, siç ngjiste
zakonisht me reliket e papëve të vdekur në internim, por mbeti në ishull, ku varri
i tij u bë menjëherë vend shtegtimesh e mrekullish, që nisen të dokumentohen duke
nisur nga shekulli XI. Të dy papët e shenjtë, Ormisda e Silveri, atë e bir në jetë,
janë pajtorë të vendlindjes së tyre, Frozinones.