Me 19 qershor Kisha përkujton Shën Romualdin abat. Një mëngjes shtatori të
vitit 978 Venediku u zgjua në gjendje alarmi. Ishte zhdukur dozhi! Pjetro Orselo,
që i printe Republikës detare që prej dy vjetësh, kishte ikur natën. Ishte nisur drejt
një kuvendi të largët ndër shpatet e Pirenjeve. Shoqërohej nga një grup i vogël, në
të cilin bënte pjesë edhe Romualdi, murg, bir i dukës Sergjo të Ravenës. Pse po ikte
kaq me ngut dozhi? Orselo qe ulur në fronin e Dozhit të Venedikut pas vrasjes së paraardhësit,
Pjetër Kandianit VI. Nuk dihet mirë në se kishte të bënte me këtë krim, por perandori
Otoni II ishte betuar se do të hakmerrej. E atëherë ai vendosi të ikte, duke flijuar
vetveten, për t’ia kursyer popullit të vet rreziqet, luftërat e brendshme e sulmet
e jashtme. Si arritën në kuvendin e largët, Romualdi e ndihmoi ish-dozhin, të
cilin Kisha e nderon si shenjt që nga viti 1731, deri sa vdiq si murg i thjeshtë,
në vitin 987-88. Pas vdekjes së Orselos, Romualdi u kthye në Ravenë, por nuk u ndalua
në kuvendin e Shën Apolinarit në Klase, që ishte kuvendi i tij i parë. Madje nuk u
ndalua asgjëkundi. Pas një konflikti të përgjakshëm në të cilin ishte përzjerë
fisi i tij, u bë murg, së bashku me të jatin e nisi të jetojë në vende të mënjanuara,
duke bërë pendesë, duke u lutur e duke medituar. Por shpesh herë e kërkonin për të
ndërmjetësuar, në raste mosmarrëveshjesh kishtare e politike, sepse njihej mirë në
familjet më të mëdha të kohës. Ai e pranonte ndërmjetësinë si detyrë, por sapo nisej,
nuk mendonte gjë tjetër, veçse të kthehej një orë e më parë në ishujt e vegjël të
deltës padane, në shkëmbinjtë e Apenineve e në brigjet istriane, vise që i ndërronte
vazhdimisht, në kërkim të vetmisë, pa e gjetur kurrë plotësisht. Arrinte gjithnjë
dikush që kishte nevojë për Romualdin, që kërkonte Romualdin. Disa murgjër duan të
ndërtojnë një murgade? Ai i ndihmon. Pastaj ndihmon ca të tjerë e pastaj ngre murgade
në të katër anët e Italisë. Gjithnjë të vogla, të fshehura, sepse nuk mund t’i duronte
kuvendet e mëdha, aq më pak murgjit që s’kishin asgjë të përbashkët me jetën murgare.
Ndeshej vazhdimisht me ata që i përkisnin Kishës me emër, por jo me vepra, me
ata që e predikonin Ungjillin, por jetonin në kundërshtim me të, me ata që flisnin
për dashuri, në sa i frynin zjarrit të urrejtjes. Arriti deri atje, sa të grindej
keqas me një abat, i cili e kishte blerë me para postin e lartë. E sherri u ndez aq,
sa ta zinte për gryke. Gjithnjë kërkues ndaj vetes e ndaj të tjerëve e gjithnjë
me plane të reja, siç ishte plani i parealizuar që të kryesonte ekspedita misionare
në Veri të Evropës, në vitin 1012 zbuloi mrekullinë e Apenineve kazentiense, Arecon,
dhe ngriti aty, në lartësinë 1098 metra, një eremitazh të vogël. Treqind metra më
poshtë ndërtoi një kuvend. Lindi kështu Kamaldoli, qendër urate e kulture edhe
në shekullin XXI. Ndërtoi, krijoi grupe të reja njerëzish që bashkëjetonin në paqe,
mësoi, më shumë me biseda se me predikime. U nis e arriti vazhdimisht për diku, prej
dikah. Ngriti një kuvend të ri në Val di Kastro, ku edhe vdiq si vetmitar i thjeshtë,
në një qelë të vogël, mbi një tog me kashtë. Por shtegtari i madh nuk do të ndalej
as këtu. Do ‘të udhëtonte’ akoma. Dy murgjër të Shën Apolinarit në Klase, i mbartën
fshehurazi reliket e tij e i çuan në Jesi. Por një vit më pas Shenjti do të niste
një rrugë të re, drejt Kishës kamaldoleze të Shën Vlashit e Fabianit, ku pushon në
paqe. Kisha e nderon si shenjt që nga viti 1595, me vendim të papës Klementi VIII.