Siri-Homs: “Na shpëtoni, kemi uri”: është thirrja e dëshpëruar e familjeve
të Homsit, në Siri, të cilat kërkojnë ndërhyrjen e menjëhershme të organizatave humanitare.
Gjendja keqësohet me shpejtësi të rrufeshme e rreth 800 civilë, gjysma myslimanë sunnitë
e gjysma të krishterë, mbeten plotësisht të izoluar në qendër të Homsit. Sipas njoftimeve
dhënë agjencisë Fides nga Komiteti, që po dialogon me ushtrinë e me kryengritësit
për t’i liruar civilët, familjet nuk kanë më ushqim, as ilaçe. Rrezikohen të vdesin
nga uria. Ndërmjet tyre ka pleq e fëmijë, në gjendje kritike. Ndërhyrja humanitare
është më se urgjente. Rebelët e ngujuar në qytet, kanë pohuar se mund ta lejojnë daljen
e civilëve vetëm në mbrëmje, pas orës 21.00. Por në këtë orë bie errësira, fillon
ndalimi i qarkullimit e civilët, po të dalin jashtë, mund të vriten lehtësisht nga
zjarri i kryqëzuar i armëve kundërshtare. Prej këndej, askujt nuk ia mban të lëvizë.
Ndërsa vëzhguesit e OKB-së kanë njoftuar ndërprerjen e përkohshme të ndërhyrjes
së tyre, Komiteti i bisedimeve, i përbërë nga laikë, rregulltarë e prijës të shoqërisë
civile, kërkon ndalimin e zjarrit të paktën për ndonjë orë, aq sa të hyjnë ndihmat
humanitare në Homs. Po deri tani asnjëra nga palët në konflikt nuk duket se e ka ndër
mend t’i përgjigjet kësaj kërkese kaq urgjente e kaq humane. Pa llogaritur shqetësimin
e shpërndarjes së ndihmave, që mund të mos arrijnë kurrë atje ku duhet, sepse ka mundësi
edhe të sekuestrohen.
Liban: Konflikti në Siri, gjendja e vështirë e
rreth 300 mijë greko-katolikëve melkitë, të pranishëm në vend, emërimi i ipeshkvit
të ri greko-melkit të Homsit, janë disa nga argumentet në rend të ditës, në Sinodin
e Kishës greko-katolike melkite, që u hap dje në Beirut të Libanit. Tepër delikate,
zgjedhja e ipeshkvit të ri të Homsit, aktualisht seli vakante, ku zjen konflikti ndërmjet
trupave të rregullta e kryengritësve të Ushtrisë siriane të Çlirimit. Në sa popullata
përpiqet të dalë, për të shpëtuar, edhe ipeshkvi i ri do të hyjë pikërisht për të
shpëtuar, por jo veten!
Indi, Orisa: fantazma e persekutimeve të reja
endet përsëri mbi bashkësinë e krishterë të shtetit indian të Orisës. Një prift protestant
dhe e gjithë bashkësia e një fshati të krishterë, rreth 12 familje, u sulmuan dhunshëm
e u plagosën nga një grup i organizuar, prej rreth 50 fanatikësh hinduistë. Në Kishat
vendase është krejt i freskët kujtimi i progromit të Kandhamalit,ku gjurmët e masakrave
kundër të krishterëve, janë ende të dukshme. Këtë radhë dhuna shfreu mbi distriktin
e Balasores. Në sa besimtarët e krishterë sodisin si endet përsëri fantazma e dhunës
së hinduistëve e ikin nga sytë këmbët për të shpëtuar, policia siguron se do të marrë
masa për t’u zënë pritë kriminelëve e për t’i asgjësuar. Masat filluan me kapjen e
një arsenali prej më se 50 bombash dore e arkash dinamiti në fshatin Gambhari. Sipas
Fides, lëndët shpërthyese ruheshin atje, të gatshme për një sulm të ri antikristian
në Orisë, sipas modelit të atij, që u organizua më 2008.
Sudan: Autoritetet
e Khartumit kanë pushtuar tri shkolla katolike, duke u përpjekur të sekuestrojnë edhe
një kishë. Njoftimin e jep Catholich Radio Network (Crn), që citon burime sudaneze.
Sipas burimeve, autoritetet kanë pushtuar dy shkolla katolike, në Mayo e në Omdurman.
Nuk dihet në se kishte apo jo nxënës brenda shkollave, të cilat autoritetet duan t’i
përdorin për studentë të Sudanit të Jugut, që janë duke u dëbuar nga Khartumi. Kisha
ka bërë kërkesë në gjykatë për rikthimin e shkollave.
Meksikë: Dy javë
para zgjedhjeve presidenciale, imzot Raúl Vera López, ipeshkëv i dioqezës së Saltilos,
i bën thirrje popullsisë të mos e shesë votën, sepse korrupsioni, që i ka pasuruar
njerëzit aq sa ta paguajnë, me këtë veprim do të vijojë edhe më keq në të ardhmen.
Mos e shisni votën! Është çështje morale. Kur një vend në qeveri zihet me korrupsion,
korrupsioni do t’i shtrijë më tej metastazat ekzituese. Duke thelluar situatën aktuale,
në të cilën vlon krimi. “Ndodhin vrasje, zhdukje, rrëmbime, krime të shëmtuara, e
askush nuk dënohet. Nuk dënohet, denoncon ipeshkvi, sepse sundojnë të korruptuarit,
sepse gjithçka shitet e blihet... E është vërtetë shkandulluese t’i dëgjosh pikërisht
të korruptuarit duke pohuar, në të gjitha mjetet e komunikimit, se do ta zhdukin korrupsionin,
të cilin njerëzit e shikojnë, e ndjejnë, e jetojnë ditë për ditë në njëmijë forma,
nga më të shëmtuarat”.Mos e shisni votën as veten! Thirrja e ipeshkvit meksikan jehon
në mbarë botën, atje ku korrupsioni blen votat e vret kundërshtarët, duke besuar se
kriminelët mund ta kalojnë gjithë jetën pa u dënuar!