2012-06-19 15:52:43

130-vjetori i Kolegjit françeskan në Troshan


Kremtimi i 130 – vjetorit të themelimit të Kolegjit Françeskan – Troshan. Nën organizimin e drejtorit të shkollës “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Troshan, prof. Lin Shtjefni, të dielën e 17 qershorit 2012, në famullinë kishtare “Lindja e Zojës” në Troshan të Zadrimës, u kremtua 130 – vjetori i themelimit të Kolegjit Françeskan, që për nga rëndësia e asaj kohe mund të quhet Universiteti i parë në Shqipëri. Kolegji françeskan në Troshan përurohet më 14 qershor 1882 nga atë Mariano nga Palmanova e atë Giampiero nga Bergamo dhe iu kushtua Shën Bonaventurës, Doktorit Serafik. Më tepër nga Vau-Dejës njofton Violeta Marashi.......RealAudioMP3
Me pjesëmarrjen e studiuesve dhe profesorëve të fushës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe intelektualëve të tjerë, nderuar me praninë e tyre edhe Ipeshkvi i Sapës, Imzot Lucjan Avgustini, Provinciali i Fretërve Atë Gazmend Tinaj, si dhe famullitari i kësaj famullie Atë Bec Pecaj. E gjithë kjo pjesëmarrje bëri që t’i jepte jehonë edhe më shumë jubileut të këtij Kolegji, i cili edukoi breza të tërë meshtarësh, françeskanët e mëdhenj të kombit shqiptar, që falë punës së tyre më vonë sakrifikuan shumë për fe dhe atdhe duke i dhënë jetë zhvillimit shpirtëror dhe intelektual të Shqipërisë.
Takimi i kësaj dite filloi me kremtimin e Meshës Shenjte, të kryesuar nga Ipeshkvi i vendit, Imzot Lucjan Avgustini në bashkëkremtim me dy meshtarët e tjerë të pranishëm.
Gjatë fjalës së tij Imzot Lucjani theksoi fjalën e Zotit të kësaj të diele, ku na tregon udhën që duhet përshkuar për të dëshmuar fenë e krishterë në një shoqëri të shekullarizuar, e cila përherë e më tepër orvatet ta mënjanojë njeriun nga përmasa shpirtërore e jetës. Ndaj liturgjia hyjnore e kësaj të diele tha ai na fton të kemi besim në Fjalën e Zotit, që sjell gjithmonë frytet e veta; na fton të bashkëpunojmë me Fjalën e Zotit, t’i përgjigjemi thirrjes së Tij, t’i përshkojmë shtigjet e Tij, e t’i përmbahemi udhëzimeve të Tij Hyjnore. Duke u ndalur në historinë dhe rëndësinë e Kolegjit Françeskan, Ipeshkvi shpalosi fjalët e Atë Donat Kurtit, i cili shkruan: “kjo histori asht e vështirë m’u shkrue, mbasi ndeshtrashat e egra e të pamëshirshme të kohëve fort të turbullta, posaçe gjatë robnisë andollake, kanë zhdukë gjithçka mundet me na vleftë: arkiva, dokumenta, dorëshkrime, libra, kisha e kuvende e deri vorret e atyne punëtorëve të palodhshëm, që me flije e me vetëmohim punuen për fe, kulturë e për atdhe”. Ndërsa duke përfunduar, Ipeshkvi shtoi se historia e shkatërrimit ka vazhduar edhe për 50 vitet të tjera të sistemit të egër komunist dhe ateist, madje ka shkatërruar edhe më shumë sepse ka rrënuar shumë vlera dhe virtyte të shqiptarit. Feja dhe dija kanë shkuar gjithmonë bashkë; nuk e pengojnë njëra-tjetrën, por e plotësojnë gjithnjë e më shumë.
Pas meshës u mbajt edhe seanca përkujtimore dhe historike e Kolegjit Françeskan, ku profesorët e Universitetit Luigj Gurakuqi, ndër to edhe drejtoresha e departamentit të Letërsisë, prof. Ledri Kurti, mbajtën ligjërata duke shpalosur kështu mjaft vlera dhe të dhëna historike që për audiencën e përgjithshme janë ende të panjohura. Një vlerësim i madh ishte për figurat e njohura të Shqipërisë, ish studentë të këtij kolegji, si Atë Gjergj Fishta, Atë Shtjefën Gjeçovi, Imzot Vinçenc Prendushi etj.
Po si lindi Kolegji Françeskan i Troshanit?
Duke iu referuar dokumenteve të hershëm, ja se si na e përshkruan Atë Donat Kurti historinë e këtij kolegji:
Që nga 6 maj 1877, Atë Gjampjerio nga Bergamo i shkruante Gjeneralit të Urdhrit për nji vend ku mund t’u rritshin dhe edukoheshin për Fretër djemtë vendas. (Vro: “A volo d’ucello”, fq. 24). Me sa duket ky mendim shkoi duke u pjekur, e pas lutjeve, që i qenë përsëritë dhe dërguar Kuries së Kongregacionit të Propagandës, në vitin 1880 u dha leja që të hapej një Kolegjë në Troshan për të dy familjet e Urdhërit: Observantë e Riformatë. (Vro. Ibidem, fq. 27)
Fretërit e vjetër kanë jetuar në shkrep të Troshanit. Po aty, për vite me radhë e shekuj kanë pasë një kuvend dhe një kishë të vogël përreth së cilës ishin edhe varret e banorëve vendas. Rrënimet e Kuvendit kanë ekzistuar deri në vitin 1920, ndërsa Kisha si Kapelë, me nji trupore të Shna Ndout është ende sot. Nuk ka ma tepër se 100 vjet, dhe Fretërit janë zhvendosur nga shkrepi në një vend më fushor, po në atë vend ku është edhe kuvendi i sotshëm. Pas shumë përpjekjeve në vitin 1856 P. Joakin ngaVelletri, pasi mori lejen nga Imz. Pjetër Severinit, Ipeshkvit të Sapës, bëri të mundur edhe ndërtimin e Kishës pranë Kuvendit, duke ia kushtuar “Lindjes së Zojës”,
Kolegji u inaugurua me 14 qershor 1882 dhe iu kushtua Shën Bonaventurës, Doktorit Serafik. Themeluesit e këtij Kolegji ishin P. Marjani nga Palmonova e P. Gjampjeri nga Bergamo, emri i të cilëve nuk do t’u harrohet kurrë.

I pari drejtor i Kolegjit ishte P. Gaudenc Barbiç i Provincës së Raguzës; dhe i pari Mjeshtër kolegjarësh ishte P. Bonaventura nga Colle Bario; ndihmës për dhënien e mësimit ishte P. Anastaz Vincenzoni.

Nxënësit e parë të Kolegjit të Troshanit ishin:
    P. Gjergj Fishta,
    P. Severin Lushaj,
    P. Zef Mesi,
    P. Lorenc Mitroviq (Mazreku),
    P. Ejell Paliq ,
    P. Pjeter Gjadri,
    Fr. Zef Hajmeli,
    P. Bonë Gjeçaj,
    P. Frano Koliq,

10.P. Shtjefen Gjeçovi, etj.







All the contents on this site are copyrighted ©.