2012-06-18 17:22:36

Për Vatikanin, Konferenca për zhvillimin e OKB-së duhet të vendosë njeriun në qendër, duke i njohur atij përparësi mbi teknikën


20 vjet pas Konferencës së Kombeve të Bashkuara për ambientin e zhvillimin, Rio-de-Zhanejro bëhet edhe një herë pikëtakimi për krerët e të gjithë botës, me rastin e Konferencës së OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm (Rio+20) në program nga 20 deri më 22 qershor, menjëherë pas mbledhjes së G20-ës, që po zhvillohet në Meksiko, sot e nesër. Në mbledhjen e parë, Selia e Shenjtë do të marrë pjesë, e përfaqësuar nga Vëzhguesi i saj i përhershëm në OKB, imzot Fransis Çullikat e nga një delegacion ipeshkvijsh.
Njerëzimit i besohet përdorimi i mirë i natyrës, shkruhet në notën e Sallës së Shtypit të Vatikanit, botuar edhe në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano”. Prandaj, njeriu nuk mund të mos e mbrojë natyrën. Megjithatë, njeriu ka përparësi në krahasim me teknikën e ky primat duhet pasur parasysh edhe kur trajtohen tema urgjente ekologjike.
Nuk mund të reduktohet në “problem teknik” çdo gjë, që prek dinjitetin e njeriut e të popujve, nënvizon dokumenti i Vatikanit. Njeriu duhet të jetë në qendër të zhvillimit e kjo do të thotë se ndërmjet tij e natyrës duhet lidhur një aleancë, që t’i bëjë njerëzit më të përgjegjshëm, por edhe shtetet, më të vetëdijshëm për jetën e çdo njeriu, e cila duhet ndihmuar e jo shtypur nga teknologjia. Kjo e fundit duhet pajisur me një përmasë etike, që e ka bazën në dinjitetin e njeriut.
Në notën e Selisë së Shenjtë theksohen disa elemente, si: nevoja e reflektimit të thellë mbi ekonominë e qëllimet e saj në nivel ndërkombëtar; rëndësia e parimit të susidiaritetit, pra të mosndërhyrjes aty ku nuk ka nevojë; rëndësia e familjes, e cila përveç se “qelizë e shoqërisë”, është edhe “linja e fundit e luftës kundër totalitarizmave”; refuzimi i kontraceptivëve dhe i abortit, që nuk duhen konsideruar si çështje shëndetësore, por si “mjete, që i kundërvihen me forcë së drejtës themelore për jetën”; së fundi, thirrja drejtuar shteteve, që të promovojnë një sistem tregtar të barabartë për të gjithë e solidar.
Mbledhja e G20-ës i ka përqendruar krerët e shteteve më të rëndësishme të botës në Meksiko, por i ka larguar nga kjo konferencë për ambientin në Rio-de-Zhaneiro, më e rëndësishmja e mijëvjeçarit të ri. Ka ardhur koha të fiksohen norma e rregulla për zbatimin e së ashtuquajturës “ekonomi e gjelbër” në të gjithë planetin, por nga Obama te Merkel, nga Putin te Kamerun, nuk kanë kohë për këtë konferencë, pasi tepër të zënë me G20-ën dhe me mbledhjen e mëvonshme për Eurozonën. Takimi fillon me probleme, pasi përveç mungesës së të mëdhenjve, nuk ekziston akoma projektrezoluta përfundimtare. Shtetet akoma nuk janë marrë vesh me njëri-tjetrin.








All the contents on this site are copyrighted ©.