2012-06-18 17:16:06

Papa në Engjëllin e Tënzot: nga fara e vogël, e copëzuar, del fryti; dashuria e Zotit e shndërron atë, që është e vogël.


Madhështia e dashurisë së Zotit, e cila e shndërron atë, që duket pa vlerë, ishte në qendër të vëmendjes në fjalët e Papës gjatë lutjes së djeshme të Engjëllit të Tënzot. Ati i Shenjtë kujtoi shembëlltyrën e farës së senapit. Pastaj, edhe Ditën Botërore të Refugjatit, përfundimin e Kongresit Eukaristik në Irlandë dhe lumnimin e së resë Çeçilia Euzepi.

“Ligështia është forca e farës”: me këto fjalë Papa nënvizoi kuptimin më të lartë të shembëlltyrave të Jezusit kushtuar farëve të tokës, propozuar nga liturgjia e djeshme. Fara, që rritet edhe pse fshatari fle e fara e senapit, më e vogla nga të gjitha, janë metaforë e Mbretërisë së Zotit, shpjegoi Benedikti XVI:
Realitet tepër i vogël, po ta shikojmë me sy njerëzor, i përbërë nga ata, që janë të varfër në zemër, ata, që nuk besojnë në forcat e veta, por në dashurinë e Zotit; ata, që nuk kanë pikë rëndësie para syve të botës, e megjithatë, pikërisht përmes tyre vërshon forca e Krishtit, për të shndërruar çka duket krejt pa vlerë”.
Mbretëria e Hyjit, ndonëse kërkon bashkëpunimin tonë, pohoi Papa, është, mbi të gjitha, dhuratë e Zotit. E kjo duket qartë nga kontrasti ndërmjet vogëlsisë së farës e madhësisë së asaj, që prodhon. Prej këndej, ftesa e Benediktit XVI për ta provuar këtë mrekulli të Zotit:
“Forca jonë e vogël, në dukje krejt e pafuqi përballë problemeve të botës, po të depërtojë në atë të Zotit, nuk trembet nga pengesat, sepse e sigurtë është fitorja e Zotit. Mrekullia e dashurisë së Zotit e bën të mbijë e të rritet çdo farë të së mirës, të hedhur në tokë”.
Koha e sotme është kohë mbjelljesh, pohoi Papa, ndërsa rritjen e bimës e siguron vetë Zoti:
Është ai Zotëria i Mbretërisë, njeriu është vetëm bashkëpunëtori i Tij i përvuajtur, që kundron veprimin hyjnor, gëzohet e pret me durim pjekjen e frytit. Korrja e fundit na bën të mendojmë për ndërhyrjen përfundimtare të Hyjit në mbarimin e kohëve, kur Ai do ta realizojë plotësisht Mbretërinë e Vet”.
Fara e senapit, ndonëse tejet e vogël, është plot me jetë. Nga copëzimi i saj lind një bimë, që çan brazdën e del në dritën e diellit, rritet e bëhet më e madhe nga të gjitha bimët e kopshtit:
Çdo i krishterë, atëhere, e di mirë se duhet të bëjë gjithçka mundet, por se rezultati përfundimtar varet nga vetë Zoti; kjo vetëdije e ndihmon në mundimin e përditshëm, posaçërisht në situata të vështira. Në situata të tilla, shkruan Shën Injaci i Lojolës, ‘Vepro sikur gjithçka të varej prej teje, duke e ditur se në fund të fundit gjithçka varet prej Zotit”.
Pas lutjes mariane, Papa kujtoi Ditën Botërore të Refugjatit, themeluar nga OKB-ja. Dita do të kremtohet më 20 qershor, për të vënë në qëndër të vëmendjes së bashkësisë ndërkombëtare kushtet në të cilat jetojnë shumë njerëz, posaçërisht familje, që detyrohen të ikin nga trojet e tyre, sepse të kërcënuara nga konflikte të armatosuara e nga forma të rënda të dhunës:
“Këta vëllezër e motra, të vënë në provë kaq të rëndë, i siguroj për lutjen time e për vëmendjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, ndërsa uroj që të drejtat e tyre të respektohen gjithnjë e të bashkohen sa më shpejt me të dashurit”.
Më pas, lutja, në bashkim me pjesëmarrësit në Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar, që e ktheu gjatë gjithë kësaj jave Dublinin, në qytet të Eukaristisë:
“Në misterin e Eukaristisë Jezusi deshi të rrinte me ne, për të na bërë të bashkohemi me të e ndërmjet nesh. T’ia besojmë Zojës së Bekuar frytet e pjekura këto ditë reflektimi e lutjeje”.
Më pas Papa kujtoi lumnimin, në Nepi, dioqezi i Çivita Kastelana, të Çeçilia Euzepit, vdekur në moshën 18 vjeçare:
“Kjo vashë, që ëndëronte të bëhej motër misionare, u detyrua të largohej nga kuvendi për shkak të sëmundjes, të cilën e jetoi me fe të patundur, duke dëshmuar aftësi të rralla flijimi për shpëtimin e shpirtrave. Në ditët e fundme të jetës, në bashkim të thellë me Krishtin e kryqëzuar, përsëriste: “Sa gjë e bukur, t’i dhurohesh e tëra Jezusit, që na e dhuroi gjithë vetveten”.
Gjatë përshëndetjeve në gjuhë të ndryshme, ftesa, në gjuhën frënge, për të jetuar me besim në Zotin;
në anglisht, inkurajimi për ta lutur Zotin t’i shndërrojë ligështitë e dëshirat tona të sinqerta, në vepra të mëdha dashurie;
në gjuhën polake, Papa kujtoi se Kisha kremtoi këto ditë Solemnitetin e Zemrës së Krishtit dhe festën e Zemrës së Papëlyer të Zojës, duke uruar që të gjithë të mësojnë nga Zemra Hyjnore e Jezusit, plot mirësi e dashuri, ndjeshmërinë ndaj nevojave të tjetrit, posaçërisht kur tjetri është njeri i ligësht, i vuajtur, i përjashtuar nga radhët e shoqërisë;
në italisht, përshëndetja drejtuar sidomos pjesëmarrësve në takimet organizuar nga “Lëvizja e dashurisë familjare”, kushtuar “Atynës dhe rrënjëve të krishtera të familjes e të shoqërisë”, si dhe shtegtarëve të shumtë, ardhur nga të katër anët e Italisë.
Të gjithëve, urimi: “Të diele e javë të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.