2012-06-18 17:16:32

Nigeria e pushtuar nga frika: dëshmia e një murgeshe italiane në Kaduna.


Ka arritur në 45, numri i të vdekurve të së dieles në Nigeri, vend që po gjakoset pikërisht në ditët kushtuar Zotit. Këtë herë, në shtetin federal të Kadunës. Grupi terrorist Boko Haram pohoi autorësinë e atentateve mbi 5 kisha të krishtera, duke theksuar se ishte përgjigje ndaj reagimit të vetë të krishterëve kundër myslimanëve. Plan absurd urrejtjeje, e quajti drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi. Ndërkaq institucionet evropiane e dënuan ashpër sulmin e ri kundër të krishterëve në Nigeri, vend që do të jetë në qendër të vëmendjes në këshillin e ardhshëm të ministrave të jashtëm të BE-së, më 25 qershor. U lidhëm telefonikisht me Kadunën, prej nga na flet motra Semira Karroco, rregulltare e Oblateve të Nazaretit, që prej 22 vjetësh në vendin afrikan, ku ka themeluar një shkollë për 800 fëmijë:RealAudioMP3

Përgjigje: - Situata është mjaft e tensionuar. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme 24 orë mbi 24 orë. Nuk kemi dritë e nuk mund të kërkosh ndihmë nga askush, sepse nuk guxon të dalësh. Mbetemi gjithnjë nën trysninë e frikës së ndonjë sulmi, që mund të vijë nga çasti në çast. Jemi fare pranë vendit, ku ndodhi ngjarja e djeshme: na ndan më pak se një kilometër. Sulmuan dy kisha në Kaduna e dogjën disa shtëpi. Të krishterët nuk ndenjën të qetë, por kundërvepruan menjëherë, në mënyrën më të keqe të mundshme. Kjo, historia e djeshme. Boko Haram pohon se po mobilizon njerëz, që t’i shkatërrojë plotësisht të krishterët. Duan të na tmerrojnë, prandaj i sulmojnë kishat të dielave, kur janë plot. Duan, në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, një regjim krejtësisht islamik, sepse tani guvernatori i Kadunës dhe presidenti i Nigerisë janë të krishterë, gjë që nuk u pëlqen aspak.

Pyetje: - Pas kaq vjetësh jete në Afrikë, besoj se nuk mendoni që të gjithë myslimanët janë të tillë? Ju që keni marrëdhënie të ngushta me ta?

Përgjigje: - Po, ne kemi marrëdhënie me familjet, që i sjellin fëmijët në shkollën tonë që nga vitit 2000, kur u hap. Jemi shumë miq me prindërit e këtyre fëmijëve. Unë, duke u sjellë nëpër të gjitha tregjet, për të siguruar ushqimin e fëmijëve, jam në kontakt me shumë myslimanë, që i kam miq e më respektojnë. Prej këndej nuk e di ç’të them për këto sjellje. Nuk e di si t’i gjykoj. Veç duhet theksuar se këtë situatë e krijojnë fanatikët.

Pyetje: - Më se një herë Papa ka bërë thirrje që në Nigeri të punohet për rikthimin e paqes. I dëgjon njeri këto thirrje?

Përgjigje: - Thirrjet nuk mbeten të padëgjuara. Këtu po organizohen turne lutjesh, edhe natën. Thirrjet dëgjohen, por unë dua të bëj edhe thirrjen time: të jemi të bashkuar në lutje, sepse është e vetmja armë, që na mbetet ne, të krishterëve; e vetmja mbrojtje: lutja, besimi në Zotin. Prej këndej, ftesa për t’u lutur e për ta lëshuar gjithçka në dorë të Zotit.

Përgjigje: - Ju, që keni kaq vjet në Afrikë, si po e jetoni këtë periudhë tensioni e ankthi, aq më tepër duke qenë rregulltare e, prej këndej, edhe simbol?

Përgjigje: - Jam prej 22 vjetësh në Nigeri. Kam jetuar përvoja të ndryshme e kam mbledhur edhe fryte të mira nga misioni. Disa përvoja kanë qenë të tmerrshme, por të tjerat, të mira. E tregon fakti se njerëzit, që na rrethojnë, na japin zemër. E edhe unë përpiqem t’i inkurajoj, në këto çaste kaq të këqija. Prindërit e fëmijëve të shkollës më kanë thënë: “Motër Semira, duhet rritur siguria, sepse fëmijët tanë nuk janë të sigurtë". U përpoqa t’i qetësoj e u thashë se duhet të kenë më shumë besim në Zotin, sepse nuk e dimë në se ekstremistët e kanë apo jo në mendje të vënë bomba në shkollë, e aq më pak dimë çastin e orën. Shkojmë përpara, me guxim, me fe e me shpresë.







All the contents on this site are copyrighted ©.