2012-06-18 17:16:44

Ndryshimet në Radio Vatikan nuk do të prekin punonjësit, por mënyrën e transmetimit


Kohët e fundit kemi dhënë lajmin se duke filluar nga 1 korriku, Radio Vatikani do të ndërpresë transmetimet në valë të mesme e në valë të shkurtra. Dëgjuesit mund të na ndjekin përmes internetit, në faqen radiovaticana.org, ose përmes ritransmetimeve të Radio Marisë në Shqipëri. Që dje, filluam t’ju njohim më hollësisht me këto ndryshime epokale, së bashku me drejtorin tonë të përgjithshëm atë Federiko Lombardi. Sot, ai i përgjigjet pyetjes: si do të ndikojë ky ndryshim mbi punën e gazetarëve dhe të teknikëve të Radio Vatikanit?RealAudioMP3
Për ne ka qenë gjithnjë e qartë se nuk do të pushojmë nga puna asnjërin, sidomos në një çast si ky i krizës. Të gjithë punonjësit tanë, punëtorë, teknikë e gazetarë, mund të jenë të qetë nga kjo pikpamje. Ne nuk e shkurtojmë personelin, siç kanë bërë emitente të tjera të rëndësishme, edhe në nivel ndërkombëtar, por ecim përpara, duke u përpjekur ta kryejmë sa më mirë shërbimin tonë, duke përdorur në mënyrë të arsyeshme, fondet në dispozicion. Para së gjithash, përqendrohemi në misionin, që duhet realizuar dhe në kualifikimin profesional të njerëzve, që punojnë me ne. Gjithsesi, kemi parasysh ata që largohen nga vendi i punës për shkak të moshës, për arsye të tjera, për shkak të transferimit, sepse shumë nga redaktorët janë të huaj. Pastaj, dëshiroj të theksoj edhe diçka tjetër: është e qartë se në kuadrin e këtij zhvillimi teknologjik, mund të ndryshojë gradualisht edhe mënyra, formati i emisioneve tona. Ashtu si ardhja e internetit, na bëri të kalojmë nga një radio, që prodhonte kryesisht audio, në një ent, që prodhon informacion të shkruar në ueb e të pasuruar me elemente multimediale – pra, jo vetëm audio, por edhe video, në bashkëpunim me Qendrën Televizive të Vatikanit – ashtu edhe mënyra e transmetimit të programeve mund të ndryshojë. Për shembull, fakti që tani ndiqet një rend kohor i caktuar, në të cilin një program vjen pas tjetrit, mund të ndryshojë e programet, në dispozicion përmes internetit, do të rezultonin të pakushtëzuara nga koha e transmetimit; kjo nuk është e mundur në transmetimin përmes valëve elektromagnetike apo satelitit. Pra, organizimi i punës së profesionistëve të informacionit mund të zhvillohet në këtë drejtim, por aktualisht, ne vazhdojmë të transmetojmë në orare të caktuara, për shkak të mijëra radiove lokale, që e marrin programin përmes satelitit, në atë orar. Prandaj, në këtë fazë, akoma vazhdojmë të transmetojmë me rendin e mëparshëm.
Nesër, do të vazhdojmë t’ju flasim për ndryshimet në radio, duke u përqendruar në qendrën e antenave të Shën Marisë në Galeria.








All the contents on this site are copyrighted ©.