2012-06-18 11:22:41

Lumnimi i Çeçilia Euzepit. Flet kardinali Anxhelo Amato


Në Nepi të Italisë, lartohet në nderimet e elterit, duke u shpallur e Lume nga Kisha Katolike, Çeçilia Euzepi, terciare e Urdhërit të Shërbëtorëve të Marisë. Ati i Shenjtë u përfaqësua nga Prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Anxhelo Amato, i cili kremton meshën. Çeçilia Euzepi ka jetuar në periudhën 1910-1928. Është e Lume e re në disa aspekte: lartohet sot në nderimet e elterit, ka jetuar në një shekull më pranë nesh dhe, ka ndërruar jetë e re, në moshën 18 vjeçare. Në mikrofonin tonë, kardinali Amato:RealAudioMP3
Ashtu si 18-vjeçarja tjetër, fokolarinia Kiara Badano, që u lumnua më 25 shtator 2010, edhe 18-vjeçarja Çeçilia Euzepi, pavarësisht nga mosha e re, tregoi një pjekuri heroike në përballimin, me fe të thellë, të mijëra vështirësive të jetës së saj të shkurtër.
A mund të na thoni diçka më tepër nga jeta e së Lumes?
Çeçilia lindi në Monte Romano, në provincën e Viterbos, më 17 shkurt 1910. E mbetur jetime nga i ati vetëm pak ditë pas lindjes, së bashku me nënën, zhvendoset në Nepi, në fermën e dajës së vet. Pasi iu besua murgeshave çisterçense për arsimin fillor, 12 vjeçare, iu desh të mbyllej në shtëpi për shkak të një gastriti të rënduar, që e bënte të villte gjak. Arriti të kthehej në kuvend për të vazhduar studimet, por pas një viti, iu desh t’i linte për t’u shtruar në spitalin e Çivita Kastelanës.
Kështu, filluan për të sprovat. Si i përballoi?
Me forcë të jashtëzakonshme e qetësi, pa e humbur shpresën. Gjatë qëndrimit të saj në familje, u bë pjestare e Urdhërit të Tretë të Shërbëtorëve të Marisë e të Veprimit Katolik. Madje, me dëshirën për t’u bërë murgeshë, hyri 13-vjeçare në Motrat Shërbëtore të Marisë në Pistoja. Edhe këtu, sëmundjet vazhduan ta persekutonin, aq sa e detyruan të kthehej në Nepi, pas tre vjetësh. Pavarësisht nga dhimbja, që i shkaktoi ky largim, nuk u shkurajua kurrë, por, krejtësisht e zhytur në lutje, ia ofroi dhimbjet e saj fizike Zotit, me dashuri të pafundme. U shua në Nepi, më 1 tetor 1928. Çeçilia u mbeti besnike fjalëve të Jezusit, që thotë: “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje!” (Mt 16,24). Ajo i qëndroi besnike deri në vdekje premtimit, që pati bërë në ditën e Kungimit të Parë: “Jezus, do të jem jotja, gjithnjë jotja: po të premtoj”.
Ç’mesazh u përcjell e Lumja e re, të rinjve të sotëm?
Një mesazh të dyfishtë force e shprese. Edhe të rinjtë mund ta përshkojnë me guxim Udhën e Kryqit të jetës, në shoqëri me Jezusin, për t’u ringjallur me Të në shkëlqimin e shenjtërisë. Përveç kësaj, e Lumja Çeçilia Euzepi i fton bashkëmoshatarët të shpresojnë në Zotin, të shohin drejt qiellit e ta hapin zemrën e mendjen para horizontit të jetës së amshuar, para Parajsës. Vitet e jetës nuk maten me numra, por nga intensiteti i dashurisë, me të cilën i jetojmë.







All the contents on this site are copyrighted ©.