2012-06-18 17:25:42

Atë Federiko Lombardi: Komisioni i kardinajve vazhdon hetimet për daljen e dokumentave të rezervuara nga Vatikani


Zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi foli sot me gazetarët edhe për çështjen e hetimeve, lidhur me daljen e dokumentave të rezervuara nga Vatikani. Komisioni kardinalor, tha ai, është i lirë të lëvizë në të gjitha drejtimet, i jep llogari Papës, por jashtë hetimeve të njohura e marrjes në pyetje të të akuzuarit të vetëm, Paolo Gabriele, nuk ka folur për persona të tjerë të përfshirë në këtë çështje.RealAudioMP3
Vërtet, komisioni, i përbërë nga tre kardinaj (Julian Herranz, Salvatore De Giorgi e Jozef Tomko), ka marrë në pyetje, deri tani, 23 vetë, pak a shumë 4-5 vetë çdo javë. Javës së kaluar kanë pyetur sërish Paolo Gabrielen e të shtunën pasdite, i kanë raportuar Benediktit XVI rezultatet e hetimeve, që vazhdojnë. “Të gjithë – theksoi atë Lombardi – duam të dimë më shumë, por duhet të presim e nuk është e drejtë të bëjmë hipoteza, duke u bazuar në burime të diskutueshme”:
“Kanë dalë emrat e dërguesve e të bashkëpunëtorëve: kush tha se kanë dalë dërguesit e bashkëpunëtorët? Janë hipoteza jashtëzakonisht të pabazuara”.
Duke komentuar intervistën e Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, kardinalit Tarçizio Bertone për revistën “Familja e Krishterë”, në të cilën prelati i lartë përjashton përfshirjen e ndonjë kardinali në rastin Vatileaks, atë Lombardi nënvizoi:
“Në intervistën e kardinalit Bertone për ‘Familjen e Krishterë’, më duket se pika më e rëndësishme është ftesa për të reflektuar mbi marrëdhëniet ndërmjet lirisë së shtypit, lirisë së shprehjes e mbrojtjes së privatësisë së personit… Kemi të bëjmë me të drejta, që nganjëherë, janë në konflikt. Duhen verifikuar gjithnjë kufijtë e përdorimit të tyre, sipas korrektesës etike e normave juridike”.
Atë Lombardi sqaroi se gazetarët e akredituar do të mund të vizitojnë IOR-in (Institutin e Veprave Fetare, i njohur si banka e Vatikanit) më 28 qershor. E parashikuar për datën 22, kjo vizitë u shty, pasi ishte i zënë salloni i Institutit. Përsa i përket raportit të “Moneyval” për transparencën financiare në Vatikan, atë Lombardi nënvizoi se vetë organizmi kërkon të mos publikohen vlerësimet e tij, para se të miratohen nga asambleja, prandaj çdo dalje në shtyp, duhet konsideruar si dhunim i rregullave të “Moneyval”. Së fundi, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë i këshilloi gazetarët të mos i konsiderojnë çështjet në diskutim në Vatikan si luftë pushteti, apo si komplote, por si dinamikë e zakonshme në vendimarrjen e një shteti, ku jo të gjithë mund të jenë dakord me njëri-tjetrin.








All the contents on this site are copyrighted ©.