2012-06-16 08:54:54

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 11-të gjatë vitit ‘B’


Ja përsëri në takimin tonë javor me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Tri leximet biblike të liturgjisë hyjnore të kësaj së diele flasin kryesisht për dy argumente. Ai kryesor (leximi parë e ungjilli) trajtojnë mbretërinë e Zotit të kumtuar nga Jezu Krishti, që është edhe mbretëri mesianike e paralajmëruar në Shkrimet të Shenjta. Argumenti dytë (leximi i dytë) trajton perspektivën eskatologjike të ekzistencës së krishterë.

Fjala e Zotit e kësaj së diele na tregon udhën që duhet përshkuar për të dëshmuar fenë e krishterë në një shoqëri të shekullarizuar, e cila përherë më tepër orvatet ta mënjanoi njeriun nga përmasa shpirtërore e jetës. Sot kemi përpjekje për ta asgjësuar elementin shpirtëror, fetar e madje edhe vet referimin e Zotin nga jeta e shoqëria. E siç pohon edhe pjesa ungjillore e kësaj së diele, njeriu nuk mund të jetoi pa pasur si pik referimi Zotin e Mbretërinë e Tij Hyjnore, do të thotë pa pasur si cak jete pikërisht takimin përfundimtar me Të. Kështu fragmenti ungjillor i kësaj së diele na paraqet dy shëmbëlltyra të shkurta mbi Mbretërinë e Hyjit: fara që rritet vetvetiu në tokë dhe ajo e kokrrës së senapit.
Në shëmbëlltyrën e parë, fara që hidhen në tokë, mbin e rritet vetvetiu. Është Ai, Zoti i Mbretërisë, njeriu është thjeshtë një bashkëpunëtor u përvujtë, që pret rezultatet, pret të korrat. Çdokush, e di që duhet të bëjë atë mund të bëjë, mirëpo rezultati varët nga Zoti.
Në shëmbëlltyrën e dytë ungjillore, trajtohet fara apo kokrra, ajo e senapit. Megjithëse se vogël, ka në vete një dinamizëm të pamenduar, ka një fuqi të paimagjinueshme. Kështu është Mbretëria e Zotit, një realitet i vogël nga vështrimi njerëzor, e përbërë prej njerëzve jo të rëndësishëm para syve të popujve të botës; e prapëseprapë përmes tyre depërton e shpërthen forca e Krishtit që shndërron çdo gjë. Ezekieli profet (Leximi I), orvatet të përhap besimin e shpresën pranë popullit të mërguar në Babiloni, si Pali ( Leximi II) që u shkruan Korintianëve duke i ftuar të kenë besim e shpresë edhe para vështirësive që has misioni apostolik, dhe të veprojnë e të jetojnë në atë mënyrë që dhuratat e Zotit që i kanë marrë, të japin fryte.
S’ka dyshim që të gjithë, pa dallim, nganjëherë ligështohemi para vështirësive të jetës e feja jonë pëson krizë, vihet në dyshim. Këtë të diel, Fjala e Zotit na jep një limfë të re: nuk jemi vetëm, Jezu Krishti nuk na braktis kurrë, por na shoqëron gjithmonë në çdo hap të jetës sonë.

Liturgjia hyjnore e kësaj së diele të 11-të, dëgjues të nderuar, pra na fton të kemi besim në Fjalën e Zotit, që sjell gjithmonë frytet e vet, si fara e mbjell në dhe, që nuk humbet pa i pas dhuruar më parë tokës frytet e vet. Zoti mbjell farën e Fjalës së Tij e të Hirit të Hyjnor. Në mbarim edhe zemrat më të forta e më të ngurta do të hapen para dashurisë së Tij të Hyjnore. Fara e shëmbëlltyrave ungjillore është Fjala e Zotit; e ai njeri që e dëgjon dhe e kupton, jep fryte. Prandaj Fjala e Zotit e mbjell në zemrën tonë njerëzore do të jap fryte në atë masë që çdo njëri prej nesh bëhet terren i pëlleshëm për ta pranuar e për ta bërë të frytshme. Kështu, liturgjia e kësaj së diele na fton të bashkëpunojmë me Fjalën e Zotit, t’i përgjigjemi thirrjes së Tij, t’i përshkojmë shtigjet e Tij e t’i përmbahemi udhëzimeve të Tij Hyjnore.
Me shëmbëlltyra e ungjilli të liturgjisë së kësaj së diele Jezu Krishti, përmes Markut ungjilltar që na i sjell ato, përshkuar e paraqet cakun e Mbretërisë Qiellore e këndej cakun e asaj që ne, nxënësit e tij, besojmë, kumtojmë e synojmë. Mesazhi i leximeve biblike të kësaj së diele është një thirrje të kemi besim në forcën e Fjalës së Zotit, të mbjell me begati në brazdat e historisë, në zemrat tona njerëzore, përkundra të gjitha kundërshtimeve, refuzimeve, Fjala e Zotit gjithmonë jep frytet e veta, që janë drejtësia, dashuria, paqja dhe shpresa e Mbretërisë së Zotit.

Mbretëria e Hyjit në botë nuk lulëzon e nuk rritet me forcën e vetëmjaftueshme të njeriut, por me besimin në fuqinë e heshtur të Hyjit. Mbretëria, ashtu si fara, lind në sekretin e zemrës (toka), rritet pandalshëm e zhvillohet qetësisht, duke sjellë fryte kur t’i vijë koha. Ungjilli nënvizon se Hyji ka një stil durimi, dhe fshatari është shëmbëlltyra. Fshatari jeton stinët duke pritur me durimi frytet e punës së tij. Kush beson në forcën e Mbretërisë së Hyjit jeton me durim ardhjen e Tij në ngjarjet e çdo dite. Besimi në Mbretërinë, nëse është i vendosur në thellësinë e zemrave tona, gjen mënyrën e vet për tu shprehur në dëshminë e shërbimit tonë pa interes. Gjenden tre mësime në shëmbëlltyrë të vlefshëm për ekzistencën tonë të krishterë. I pari është spontaniteti: në procesin e rritjes së farës ekziston një mekanizëm automatik që nuk varet nga veprimi i fshatarit: fara rritet pandalshëm si kur ai fle ose nuk është, si kur kontrollon rritjen e saj. Fara e Mbretërisë zotëron në vetvete një energji jetësore për tu rritur. I dyti është i lidhur me rritjen e saj që ndodh pa ndërhyrjen tonë, nuk varet nga forca njerëzore, sepse është në natyrën e farës të rritet. Mësimi i tretë është ai i kontrastit: fara jep gjithmonë diçka që është më e madhe e më e ushqyeshme se vetë ajo. Mbretëria e Hyjit i dhuron njeriut Hyjin. Nuk duhet të dyshojmë në veprimin e Hyjit në botë e në zemrat tona, edhe pse i madh është rreziku për të humbur durimin e guximin.
Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë Ez 17, 22-24

Nga dinastia e Davidit janë eliminuar në mënyrë tragjike pasardhësit e fundit. Me këtë Hyji nuk mohon besëlidhjen e tij, por vendos të ripërtërijë gjithçka. Dega më e brishtë e cedrit të vjetër (Izraeli), mbjellë nga Hyji me dashuri, do të prodhojë një pemë të re. Një degë e tillë do të jetë Jezusi i Nazaretit . Me të do të zhduket ëndrra e madhështisë së Izraelit të vjetër e do të lindë një Kishë e përvuajtur që do të bashkojë të vegjlit dhe të varfrit.

Lexim prej Librit të Ezekielit profet

Kështu thotë Zoti Hyj: “Edhe unë do ta marr prej majës së cedrit të madh prej majës së gemave të tij do ta këpus një gemëz e do ta mbjell mbi një mal të lartë e të madhërish+-+ëm. Do ta mbjell në mal të lartë të Izraelit: do të shpërthejë në pinjollë e do të bëjë fruta: cedër do të jetë i madhërueshëm. Nën të do të banojnë të gjithë shpendët, çdo shpend nën hijen e gemave të tij çerdhën do ta bëjë. Të gjitha lëndët e fushës do ta dinë se unë jam Zoti që e zvogëlon lëndën e madhe dhe e lartëson të voglën, e thaj lëndën e njomë dhe e bëj të bulëzojë të thatën. Unë Zoti thashë dhe do të bëj ashtu.”
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Psalmi 91,2-3;13-14;15-16
Bëj të rritet në ne, o Zot, fara e fjalës sate

Është punë e mirë të shpallim dashurinë
në mëngjes e gjatë natës besnikërinë tënde,
se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua,
kënaqem për veprat e duarve të tua.

I drejti lulëzon si palma,
rritet porsi cedri i Libanit.
Të mbjellë në shtëpinë e Jakobit
lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

Japin fruta edhe në pleqëri,
janë të kërthndeztë e plot shëndet,
për të shpallur se Zoti është i drejtë:
Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta

Leximi i dytë 2 Kor 5,6-10
Pas persekutimit e dështimit, Pali është i lodhur për të luftuar, e ëndërron pushimin përfundimtar. Do të ishte më e thjeshtë të vdiste, sidomos kur është i sigurt që të vdesë domethënë të jetojë përgjithmonë me Krishtin. Por kupton se Krishti e thërret për të jetuar e për të vazhduar luftën për të marrë shpërblimin për të mirën e kryer.

Lexim prej Letrës së dytë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, jemi gjithmonë plot shpresë edhe pse e dimë se deri sa të banojmë në këtë trup, jemi të mërguar, larg Zotit; sepse jetojmë në fe e jo në pamje të Zotit. Për këtë arsye edhe jemi plot shpresë e më fort dëshirojmë ta lëshojmë banesën e këtij trupi për të banuar te Zoti. Prandaj, edhe mundohemi me gjithë shpirt t’i pëlqejmë Zotit, qoftë duke qëndruar në banesën tone, qoftë edhe duke e lëshuar atë, sepse të gjithëve na duhet të dalim në gjyq para Krishtit, që secili të marrë shpërblimin për veprat që ka bërë gjatë jetës së vet në trup, qoftë për të mira, qoftë për të këqija.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Aleluja, Aleluja
Hape, o Zot, zemrën tone, që t’i pranojmë fjalët e Birit tënd.
Aleluja

Ungjilli Mk 4, 26-34

Mbretëria e Hyjit shpesh përparon aty ku nuk kemi punuar e ne mendonim se nuk mund të lulëzonte asgjë. Fjala e Hyjit është gjithmonë në veprim në m mënyrë të fuqishme e krijuese. Hyji na beson këtë fjalë si një farë të vogël: nëse e lëmë të rritet është e aftë të shndërrojë botën. Nuk është dëshira jonë e fuqisë dhe e suksesit që bën të triumfojë ungjilli, por më tepër varfëria dhe dobësia jonë.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi i tha turmës: “Mbretëria e Hyjit është porsi kur njeriu e qet farën në dhe. Si të flejë si të rrijë zgjuar, natë e ditë, fara mbin, rritet, pa ditur ai sesi. Toka vetvetiu qet bimën; më parë kërcellin, pastaj kallirin, e në fund kallirin plot kokrra. E posa fryti piqet, i vë draprin, sepse është koha e korrjes.” Dhe thoshte: “Me çka ta krahasojmë Mbretërinë e Hyjit?Ose me çfarë krahasimi ta paraqesim? Ajo i përngjet kokrrës së sinapit që është më e vogla ndër farëra kur qitet në dhe; por, kur mbillet, rritet e bëhet më e madhe se të gjitha perimet: lëshon degë të mëdha, aq sa zogjtë e malit banojnë nën hijen e saj.” Me shumë shëmbëlltyra si këto ua shpallte fjalën, ashtu si ishin të zotët ta kuptojnë; por pa shëmbëlltyra atyre nuk u fliste asgjë, kurse nxënësve ua shtjellonte veçmas të gjitha.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Më shumë mbi programin tonë kushtuar Liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 11-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, mund të dëgjoni këtu...RealAudioMP3


Lutu me Ungjillin
O Zot Jezus, akoma sot ti je Mbjellësi i mirë që hedh farën e Fjalës në zemrat tona. Toka jonë kërkon farën tënde për të prodhuar jetë e për të sjellë fryte. Hape zemrën tonë për të pranuar Mbretërinë tënde, që ke mbjellë falas e rritet në mënyrë të mistershme, përtej forcave dhe meritave tona. “Ardhtë Mbretëria jote, o Zot”, në mes të zhgënjimeve dhe humbjeve tona, që të rritet në ne shpresa që e gjitha është vepër e hirit tënd. Mbretëria jote nuk varet nga fuqia e pasuria e njeriut, por vetëm nga Ti, që je Hyji. Na jep durimin të mos pretendojmë për të marrë menjëherë frytet, e përvujtërinë për të bërë me bujari punën tonë pa marrë meritat e asgjëje.







All the contents on this site are copyrighted ©.