2012-06-16 08:59:33

Atë Lombardi: “Kur do të mbarojë kjo natë e gjatë?


Gjendja në Siri bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ndeshjet ndërmjet opozitës e forcave të presidentit Bashar Al Asad vazhdojnë pa rrugëdalje, pasi as ndërhyrja e ish-sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Kofi Anan e as presionet e sanksionet perëndimore, nuk i ulin palët në tryezën e bisedimeve. Në Homs, regjimi mban në kurth rreth 800 civilë, gra, të moshuar, fëmijë, të cilët nuk kanë më asgjë për të jetuar dhe e kalojnë kohën në panik të plotë, nën bombardimet e në mes të breshërive të armëve. Ndër ta, 400 të krishterët e fundit, nga 80 mijë, që banonin më parë, në Homs. Kësaj gjendjeje absurde ia kushton komentin e sotëm javor zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi, i cili, me të drejtë, pyet “Kur do të mbarojë kjo natë e gjatë?”. Ta dëgjojmë:......RealAudioMP3
“Nga disa zona të Sirisë vazhdojnë të arrijnë çdo ditë, lajme masakrash të njerëzve të pafajshëm, të çdo moshe e feje, gjithnjë në rritje që prej 15 muajsh. Tashmë, askush nuk e mohon se bëhet fjalë për gjendje të vërtetë lufte civile.
Vendi i karakterizuar nga bashkëjetesa e përmasave të ndryshme të botës myslimane, ku edhe marrëdhëniet ekumenike ndërmjet të krishterëve të konfesioneve e riteve të ndryshme e ato ndërfetare të të krishterëve me myslimanët ishin tradicionalisht të qeta – i paharrueshëm udhëtimi i bukur i Gjon Palit II në vitin 2001 – zhytet tani në dhunë, në kaos, e ka rrezik të shpërbëhet, para se të gjendet një rrugëdalje: “zbritje e ngadaltë drejt ferrit” tha për Radio Vatikanin, Nunci Apostolik, imzot Zenari.
Aspiratat e lirisë e të demokracisë të shumë të rinjve sirianë, ashtu si edhe në vendet e tjera të përfshira në ndryshimet e rajonit, nuk u dëgjuan nga qeveritarët, ndërsa në gjirin e opozitorëve kanë hyrë e kanë zënë vend njerëz të dhunës.
Pavarësisht nga thirrjet e vazhdueshme të Papës, ashtu si ato të shumë krerëve fetarë e civilë, bashkësia ndërkombëtare, deri tani, duket e paaftë të veprojë frytshëm. Natyrisht, ndikon fakti që Siria ndodhet pikërisht në zonën e ndeshjes së sferave të influencës ruse dhe perëndimore. Plani i Kofi Ananit nuk gjen hapësirë për zbatim e, hipoteza e ndërhyrjes ndërkombëtare të armatosur është jashtëzakonisht shqetësuese. Pra, deri kur dhuna do të vazhdojë të rritet e njerëzit të vdesin e të ikin nga shtëpitë e tyre?
Për besimtarët është kohë mëshire, lutjeje, ndihme për të vuajturit kur munden, kohë ftese e përkrahje për nisma dialogu në çdo nivel, për shkëndija shprese. Mos ta harrojmë e mos ta braktisim Sirinë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.