2012-06-15 16:19:23

Vizita e kardinalit Filoni në Baku, ku lulëzon fara e vogël e Kishës së Azerbajxhanit.


Prefekti i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Fernando Filoni, sapo është kthyer nga Azerbajxhani e pikërisht, nga Baku, ku ishte për vizitë me rastin e kremtimit të dhjetë vjetorit të shtegtimit të Gjon Palit II në vendin kaukazik. Në mikrofonin e Radios sonë, kardinali Filoni flet për gjurmët që la në Azerbajxhan vizita e të Lumit Vojtila, dhjetë vjet më pas:RealAudioMP3

Përgjigje: - Vizita ishte një ngjarje historike e jashtëzakonshme, sepse krijoi kushte për njohjen e Kishës Katolike . Duhet thënë se kjo Kishë, sipas disa historianëve, nis që në shekujt e parë të krishterimit: më pas, për fat të keq, lidhjet humbën në rrjedhën e historisë e me ta, edhe shkëmbimet. Rifilluan vetëm në vitin 1903, kur në këtë vend ishin 10 mijë katolikë, një bashkësi e vërtetë, mbledhur rreth një kishe të madhe, kushtuar Zojës së Papërlyer, që mund të zinte deri në 1. 200 besimtarë. Kishë shumë e bukur, e stilit gotik, e bërë rrafsh me tokë në vitin 1931, nga regjimi sovjetik, që mbyti edhe të vetmin prift, duke i dhënë fund pranisë së krishterë në këtë vend. Kështu për kishën katolike në Azerbajxhan niste Udha e Kryqit. Kishte mbetur vetëm një bërthamë fare e vogël besimtarësh, e cila i shkroi Selisë së Shenjtë, për t’i kërkuar një meshtar. Arrijmë kështu, në ditët tona, kur edhe kjo Kishë doli nga katakombet. Gjon Pali II e kuptoi mirë gjendjen e kësaj Kishe kaq të lashtë e edhe kërkesën e besimtarëve, e jo vetëm që u nisi meshtarin e kërkuar, por shkoi personalisht ta vizitonte, duke ia hapur në mënyrë të jashtëzakonshme, të gjitha portat. Pati rëndësi të madhe prania e Papës në këto troje. Presidenti Alijev premtoi të japë një terren për ndërtimin e një kishe. Arrijmë, kështu, në vitin 2012, në këtë vit, kur mundëm të kremtojmë dhjetvjetorin e vizitës së Gjon Palit II e edhe ta vizitojmë këtë bashkësi të vogël.

Pyetje: - Dy fjalë për këtë Kishë?


Përgjigje: - Është një bashkësi me rreth 450 të krishterë katolikë. E vogël, por domethënëse. Në këtë kontekst, duhet të them një gjë të rëndësishme; shteti e njohu ligjërisht Kishën Katolike, kështu tani ajo i ka të gjitha mundësitë ta zhvillojë ligjërisht veprimtarinë e saj. Gjeta, atje, një kishë të re, shumë të bukur, të vogël, por vërtet mikpritëse: kjo më ngushëlloi shumë, e edhe më shumë i ngushëllon çdo ditë besimtarët, që e ndjekin. Më kujtoi mesazhin e Krishtit: “Ju jeni një farë e vogël” . Farë e vogël, por që po rrit një pemë të madhe. Pranë kishës tashmë është edhe qendra baritore. Atje zhvillohet katekizmi, organizohen takime biblike e biseda shpirtërore, që ndiqen me kënaqësi nga të krishterë e jo të krishterë, sidomos nga të rinjtë; madje tashmë është hapur edhe një strehë e vogël për të moshuarit e të sëmurët. Me një fjalë, farë e vogël, po punë e madhe!







All the contents on this site are copyrighted ©.