Më 15 qershor kalendari kujton shën Gjermanën Kuzin
Më 15 qershor Kisha katolike përkujton Shën Gjermanën Kuzin, virgjër. E lindur më
1570 në një fshat pak kilometra larg Tuluzës, në një familje punëtorësh të thjeshtë,
Gjermana mbeti tërë jetën bareshë e varfër. Shëndetligë që në lindje, me dorën e djathtë
gjysmë të paralizuar, shumë shpejt u sëmurë nga skrofulla, sëmundje që, duke u bërë
kronike, i shkaktoi vuajtje gjatë tërë jetës. Pak kohë pas lindjes, e humbi nënën.
Babai u martua sërish e ajo mbeti krejt e izoluar në shtëpinë prindërore. E çuan të
kulloste grigjën. Kur u kthye për herë të parë nga kullotat, e gjeti derën e shtëpisë
të mbyllur. Që atë natë u detyrua të flinte në stallë, së bashku me bagëtitë. Gjithë
këto fatkeqësi i priti me përvujtërinë më të madhe e, në mjerimin e vet, gjente mënyra
për t’u shërbente barinjve e bareshave që endeshin tërë ditën nëpër shtigjet e maleve,
në kërkim të kullotave, së bashku me të. Falë atyre pak mësimeve që kishte marrë
nga prifti famullitar, në shpirtin e Gjermanës lulëzoi një fe e flaktë dhe një përshpirtëri
e jashtëzakonshme për Zotin e Zojën e Bekuar. Shkonte ditë për ditë në Meshë, luste
rregullisht Rruzaren shenjte dhe lutjen e Engjëllit të Tënzot, lutej përherë e kudo.
Prandaj banorët e Pibrakut, qytetit të saj të lindjes, nisën ta thërrisnin “fanatikja”
dhe filluan ta tallnin për shkak të fesë së bindur në Jezu Krishtin dhe devocionin
që kishte. Një ditë grigja e Gjermanës nuk u pa të dilte nga vathi. As Gjermana nuk
u pa në Kishë për Meshë. Kishte fjetur përgjithmonë në Hyjin, duke gjetur paqen e
përjetshme, të cilën në këtë tokë nuk e kishte gëzuar kurrë. Ishte data e 15 qershorit
të vitit 1601. Pas vdekjes, me ndërmjetësimin e saj pranë Hyjit të Gjithëpushtetshëm,
ndodhën mrekulli të shumta, që ngjallën nderim e devocion të jashtëzakonshëm ndër
besimtarë për bareshën e thjeshtë, e cila i mbylli sytë, e harruar nga të gjithë,
por jo nga Zoti, në një stallë bagëtish. Gjermanën nisi ta nderonte gjithë Pibraku
e më pas Franca dhe mbarë bota e krishterë. Simbolike leximet liturgjike në festë
të saj, që na kujtojnë se: “Zoti i bekon ata që dhurojnë me gëzim” dhe “ Ati yt që
është në qiell, do të shpërblejë një ditë”.