2012-06-15 17:55:54

Kongresi Eukaristik. Kryeipeshkvi i Dublinit: Kisha po ndryshon në drejtimin e duhur.


Dita e pestë e punimeve për Kongresin Eukaristik Ndërkombëtar të Dublinit. Sot, solemniteti i Zemrës së Krishtit, u mbajtën referate, takime dhe u dhanë dëshmi, që i nxitën të pranishmit të reflektojnë për temën: “Bashkimi në vuajtje e në shërim”.
Pasdite u kremtua Eukaristia, me Vajimin e të sëmurëve, kryesuar nga Patriku Latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tval.
Në qendër të vëmendjes, pra, sot, në solemnitetin e Zemrës së Krishtit, festë e madhe në Irlandë, njerëzit, që mbartin kryqin e vuajtjes fizike e shpirtërore. Në vend të parë, të sëmurët dhe të gjithë ata, që mund të japin mësime të prekshme për Krishtin e vdekur në Kryq e të gjallë në Eukaristi. Pavarësisht nga shiu, që nuk pushon prej dy ditësh, Kongresi po i afrohet me sukses të plotë çastit kulmor e turma nuk po pakësohet, por po shtohet gjithnjë më shumë. Sot, një radhë e gjatë besimtarësh priste të hynte në sallat e caktuara për katekizëm. Provë e re kjo, që tregon se sa uri e etje kanë irlandezët për të mësuar gjithnjë më shumë për këtë dhanti, që u besohet nga Zoti.
Sot pasdite, pastaj, në plan të parë ishin të krishterët e Lindjes së Mesme, me vuajtjet dhe shpresat e tyre. Liturgjia e pasdites, në Arenën e Royal Dublin Society (Rojel Dablin Sosaiti), u kryesua nga Patriku i Jeruzalemit, imzot Fuad Tval. Pastaj katekizmi, kryesuar nga Patriku Bashar Mate Varda, kryeipeshkëv i Arbilit, në Irak. Prelati irakian foli për vuajtjet e të krishterëve në këtë vend të martirizuar, për t’u mundësuar të pranishmëve në Kongresin e Dublinit, të bashkohen shpirtërisht me vëllezërit e vuajtur në vende të tjera të botës.
“Duke ardhur këtu, në Kongresin Eukaristik, kuptohet se shumë gjëra në Kishë po ndryshojnë. Po shkojnë në drejtimin e duhur, në atë të ungjillëzimit të ri. Eukaristia u rizbulua si shenjë e bashkimit të Kishës irlandeze, së bashku me sfidën për t’i çuar Kongesin e frytet e tij, jashtë Arenës, nëpër botë”, pohon me entuziazëm kryeipeshkvi i Dublinit, imzot Diarmuid Martin.







All the contents on this site are copyrighted ©.