2012-06-15 16:18:51

Dita për shenjtërimin e Meshtarëve. Mësimi i Papës: në shërbim të Kishës, sipas Zemrës së Krishtit.


“Pa meshtarë, nuk mund të ketë Kishë”: kështu u shpreh kardinali Mauro Piaçenza, prefekt i Kongregatës për Klerin, në një intervistë dhënë gazetës italiane “Avvenire”, me rastin Ditës së sotme botërore për shenjtërimin e meshtarëve. Lidhet ngushtë, kjo ditë, me Solemnitetin e Zemrës së Krishtit, që kremtohet sot. Për temën e shenjtërimit të meshtarëve sipas Zemrës së Krishtit, Papa ka reflektuar dendur, posaçërisht gjatë Vitit Meshtarak 2010.RealAudioMP3
“Kisha dhe bota kanë nevojë për meshtarë të shenjtë!”. Benedikti XVI e përsërit këtë me ngulm, që në fillim të papnisë. E kjo thirrje bëhet edhe më e ngutshme, përballë plagës së tmerrshme të shpërdorimeve të disa meshtarëve mbi të miturit. Papa e denoncon me forcë shkandullin e barinjve, të shndërruar në cuba të deleve, që u janë besuar. Kemi nevojë, pohon me forcë, për meshtarë sipas Zemrës së Krishtit. Meshtarë, që i përngjasin Shën Gjon Maria Vianejt, model gjithnjë aktual për të gjithë meshtarët:
“Po ta shikojmë mirë, famullitari i Arsit u bë shenjt sepse ishte i dashuruar me Krishtin. E fshehta e vërtetë e suksesit të tij baritor ishte pikërisht dashuria që ushqente për misterin eukaristik të kumtuar, të kremtuar e të jetuar, që në shpirtin e tij u bë dashuri për delet e Krishtit, për njerëzit, që kërkojnë Zotin”(Audienca e përgjithshme, 5 gusht 2009).
Kisha, nënvizoi Papa në fillim të Vitit Meshtarak, që kremtonte 150-vjetorin e Famullitarit të Arsit, ka nevojë për meshtarë si Shën Gjon Vianej, që diti të shuajë etjen e njeriut të kohës së tij për të vërtetën. Kohë e vështirë, periudhë e Francës pas-revolucionare, na kujton Papa, që provonte një lloj diktature të racionalizmit, e cila kishte për qëllim ta shlyente praninë e meshtarëve e të vetë Kishës në shoqëri. Në këto rrethana, Shën Gjon Maria Vianej i jetoi vitet e rinisë në kushte heroike klandestine, duke përshkuar kilometra e kilometra, në errësirën e natës, për të marrë pjesë në Meshën Shenjte. Më pas, si meshtar, dëshmoi me jetën e vet se racionalizmi, asokohe sundues, ishte i paaftë për t’i plotësuar kërkesat shpirtërore të njeriut e, prej këndej, nuk do të kishte jetë të gjatë. Figura e tij vijon të na kujtojë se Kisha ka nevojë për barinj, që i ndihmojnë besimtarët të provojnë sa i mëshirshëm është Zoti, për meshtarë, që jetojnë si dëshmitarë të bindur të Krishtit:
“Në se shfletojmë historinë, mund të vërejmë sa faqe risimi shpirtëror e shoqëror u shkruan me ndihmesën vendimtare të meshtarëve katolikë, të frymëzuar vetëm nga pasioni për Ungjillin e për njeriun, për lirinë e tij të vërtetë, fetare e civile. Sa nisma për zhvillimin e gjithanshëm njerëzor nisën nga intuita e zemrës meshtarake” (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 13 qershor 2010).
Meshtari, vëren akoma Papa, është dhuratë e Zemrës së Krishtit; dhuratë për Kishën e për botën. Jo rastësisht, prandaj, Viti Meshtarak 2010 u mbyll pikërisht në solemnitetin e Zemrës së Krishtit:
“Nga Zemra e Birit të Hyjit, përplot me dashuri, burojnë të gjitha të mirat e Kishës e, posaçërisht, thirrjet drejtuar atyre njerëzve që, të pushtuar nga Zoti Jezus, lënë gjithçka për t’iu kushtuar krejtësisht shërbimit të popullit të krishterë, duke ndjekur shembullin e Bariut të Mirë”.
Meshtari, nënvizon Papa, duket të bëhet një me dashurinë e Krishtit.Vetëm kështu mund ta kumtojë Fjalën e Zotit, pa u ndikuar nga kulturat ose mendësitë sunduese:
Ndjehet një nevojë e madhe për meshtarë, që t’i flasin botës për Zotin e që t’ia paraqesin Zotin botës: njerëz që nuk bien pré e modave kalimtare kulturore, por janë të aftë ta jetojnë vërtetësisht atë liri, të cilën mund ta dhurojë vetëm Zoti, kur i përket Atij plotësisht”(Audienca me Kongregatën për Klerin, 12 mars 2010).
Papa nënvizon se profecia më e nevojshme, është ajo e besnikërisë që, duke u nisur nga besnikëria e Krishtit për njerëzimin, përmes Kishës e shërbimit të meshtarisë, e ndihmon meshtarin ta jetojë meshtarinë e vet në bashkim të plotë me Zotin e me Kishën. Prandaj edhe sot vërehet nevoja që meshtarët ta dëshmojnë mëshirën e pakufishme të Zotit, me një jetë të pushtuar nga Krishti, e ta mësojnë këtë që në vitet e përgatitjes së tyre në seminar.
Në të vërtetë, vijon të reflektojë Ati i Shenjtë, meshtari nuk i përket më vetvetes, po bëhet ‘pronë’ e Zotit. Fakti që meshtari i përket “një Tjetri, shton Papa, duhet të njihet nga të gjithë, përmes një dëshmie të qartë. Prandaj Benedikti XVI ngulmon posaçërisht tek formimi intelektual e shpirtëror i meshtarëve, të cilët duhet t’ia kushtojnë plotësisht mendje e zemër misionit meshtarak. Në se Kisha nuk ka meshtarë të përgatitur, mendon Papa, njerëzve do t’u mungojë ndihma e domosdoshme shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.