Çelësi i fjalëve të Kishës: Zemra e Krishtit, sipas shën Margerita Alakok
Të dashur dëgjues, nesër, Kisha Katolike kremton festën e Zemrës së Krishtit. Pak
e dinë se kjo e kremte është e lidhur ngushtë me shenjten Margerita Maria Alakok,
murgeshë franceze, së cilës iu duk pikërisht Zemra e Krishtit e nga e cila zuri fill
festa liturgjike, së bashku me Rrëfimin e Kungimin, Orën Shenjte, Përkushtimin e nderimin
e figures së Zemrës së Krishtit, që vetë Jezusi u kërkoi njerëzve, përmes shenjtes,
si formë dashurie e përkushtimi ndaj Zemrës së tij të Shenjtë. Me shenjten Margerita
Maria Alakok, e cila ka jetuar në gjysmën e dytë të viteve ‘600, murgeshë në kuvendin
e Lajmërimit të Zojës në Paray-le-Monial, do të përshkojmë festën e Zemrës së Krishtit. Më
27 dhjetor 1673, në të kremten e shën Gjonit Ungjilltar, atij, që sipas Ungjillit,
pati mbështetur kryet në zemrën e Krishtit, motër Margeritës i duket Jezusi, i cili
i kërkon një devocion të veçantë për Zemrën e Tij të Shenjtë. Në atë, që do të quhej
më vonë “zbulesa e madhe”, ajo shkruan se Jezusi i tregoi Zemrën e Tij të Shenjte
dhe i kërkoi që të premten pas tetëditëshes së “Corpus Domini”, të kremtohej një festë
për Zemrën e Krishtit e të kthehej ajo në kult. Shën Margeritës iu duk Krishti për
17 vjet rresht, por vetëm në vitin 1856, 160 vjet pas vdekjes së saj, festa u vendos
zyrtarisht nga Kisha. Ja si e përshkruan shenjtja, çastin kur Krishti i duket
në tetëditëshen e Corpus Domini, në vitin 1675: “Një herë, në një nga ditët e tetëditëshes,
ndërsa isha para të Shenjtnueshmit Sakrament, mora prej Zotit hire të jashtëzakonshme
të dashurisë së Tij dhe ndjeva dëshirën t’ia kthej në një farë mënyre këtë dashuri.
Ai më tha: ‘Nuk mund të më japësh dashuri më të madhe se kjo: të bësh ç’të
kam kërkuar shumë herë’. Atëherë, duke më zbuluar Zemrën e Tij Hyjnore,
shtoi: “Ja Zemra, që aq shumë i ka dashur njerëzit, që nuk është kursyer kurrë, deri
në pikën e fundit të gjakut, për t’u dëshmuar atyre dashurinë. Por, në vend të mirënjohjes,
shumica e njerëzve ma kthejnë me mosmirënjohje, me mungesë respekti e sakrilegje,
së bashku me ftohtësinë e përçmimin, me të cilat më përdorin në këtë Sakrament dashurie.
Por, ç’është më e dhimbshme, ata që më trajtojnë kështu janë zemra, që më janë shuguruar.
Prandaj, të kërkoj që në të premten e parë, pas tetëditëshes së të Shenjtnueshmit
Sakrament, të caktohet një festë e veçantë për të nderuar Zemrën time. Atë ditë,
do të kungohesh e do t’i kushtosh një pendesë nderimi, për të shpërblyer sjelljet
e padenja kundër Zemrës sime gjatë kohës, në të cilën ka qenë në elter. Të premtoj
se Zemra ime do të hapet për të rrezatuar shumë hire të dashurisë së saj hyjnore për
ata, që do ta nderojnë e do t’u thonë edhe të tjerëve ta nderojnë”. Gjatë
përshkrimit të “premtimit të madh”, siç e quan, shën Margerita Maria Alakok nënvizon
se ata, që do të marrin kungimin për nëntë muaj rresht, çdo të premte të parë të muajit,
do t’u jepet dhurata e pendesës së mbrame. Kjo dhuratë është premtimi i Zotit për
të mos e lënë njeriun të vdesë në mëkat, pa marrë Sakramentet. Premtimi i fundit,
që përshkruan shenjtja, ka karakter mistik: Jezusi i premton besimtarit strehë të
sigurtë në Zemrën e tij të Shenjtë, në çastet e mbrame të jetës. Gjatë jetës së
saj, shenjtja propozoi edhe një lutje për kushtimin e çdo personi Zemrës së Krishtit.
Në prag të së kremtes së madhe, në muajin, që i kushtohet nga Kisha Katolike pikërisht
Zemrës së Krishtit, na u duk e arsyeshme ta përkthejmë për të gjithë. Shkruan shën
Margerita Maria Alakok: “Unë, Filan Fisteku, i dhuroj e i kushtoj Zemrës hyjnore
të Krishtit, Zotit tonë, vetveten, veprat, travajët e vuajtjet, e nuk dua të përdor
më asnjë pjesë të qenies sime për gjë tjetër, përveçse për të dashur, për të nderuar
e për t’i thurur lavde Asaj. Vullneti im i padiskutueshëm është të bëhem gjithçka
e Saj, të bëj gjithçka për dashurinë e Saj të pastër, duke hequr dorë me gjithë zemër
nga çdo gjë, që Asaj nuk i pëlqen. Unë të konsideroj, o e Shenjtueshmja Zemër e Krishtit,
si objekti i vetëm i dashurisë sime, mbrojtëse e jetës sime, siguri për shëndetin
tim, ilaç për brishtësinë e paqëndrueshmërinë time, shpërblyese për të gjitha të metat
e mia, strehë e sigurtë në orën e vdekjes. O Zemër mirësie, qofsh justifikimi im para
Zotit, Atit tënd; largoji prej meje goditjet e zemërimit të Tij të drejtë. O Zemër
dashurie, ta besoj krejtësisht vetveten, sepse kam frikë nga shpirtligësia e nga dobësia
ime, prandaj shpresoj në mirësinë tënde. Shkatërroje brenda meje gjithçka që nuk të
pëlqen, ose që të kundërshton; dashuria jote e pastër bëftë fole në zemrën time, që
unë mos të të harroj kurrë e as të mos ndahem prej Teje. Po të përbetohem, pash gjithë
mirësinë tënde, emri im të shkruhet në Ty; sepse unë dua që e mira e lavdia të më
vijnë nga jeta e vdekja si skllavi yt. Ashtu qoftë”.