2012-06-14 17:23:44

Papa pret drejtorin e FAO-s: në botë ka ushqim për të gjithë, uria duhet zhdukur


Papa priti sot në audiencë drejtorin e ri të përgjithshëm të FAO-s (Organizata Botërore e Ushqimit dhe e Bujqësisë), Zhosé Graciano da Silva. Gjatë bisedimeve të përzemërta, njofton Salla e Shtypit e Vatikanit, u vlerësua impenjimi i Selisë së Shenjtë dhe i Kishës Katolike në luftën kundër urisë e varfërisë, sidomos në kontinentin afrikan. U nënvizua megjithatë, se pavarësisht nga burimet e mjaftueshme për sigurinë ushqimore të gjithë botës, ka akoma pengesa ekonomike, shoqërore e politike, që nuk lejojnë plotësimin e nevojave. Si Benedikti XVI, ashtu edhe drejtori i FAO-s uruan që bujqësia të ketë sërish përparësi në strategjitë e zhvillimit, të promovohen modele të qëndrueshme për prodhimin bujqësor dhe konsumin ushqimor e, të garantohet barazi më e madhe në administrimin e sistemit ushqimor.







All the contents on this site are copyrighted ©.