2012-06-14 13:05:09

Në Kongresin Eukaristik të Dublinit. Kardinali Uilet takohet me viktimat e shpërdorimeve seksuale.


Ndërmjet veprimtarive të shumta të Kongresit Eukaristik Ndërkombëtar në Irlandë, ku përfaqësohet edhe Shqipëria, meriton të kujtohet një shtegtim pajtimi në favor të viktimave të shpërdorimeve seksuale, organizuar nga delegati papnor, kardinali Mark Uilet. Të dëgjojmë të dërguarën e Radio Vatikanit në Dublin, Emer McKarti:

Përgjigje: - Po, duke u takuar me shtypin, dje, kryeipeshkvi i Dublinit, Diarmuid Martin, njoftoi se delegati papnor, kardinali Mark Uilet, shtegtoi në një shenjtërore historike irlandeze. Shenjtërorja ndodhet në liqenin Lough Derg, në veri të Irlandës. Njihet me emrin “Purgatori i Shën Patrikut”. Kjo shenjtërore, për shtegtarët që shkojnë atje që prej njëmijë vjetësh, është simbol i shtegtimit të pajtimit. Shkojnë për të lypur falje e pajtim me Zotin. Në këtë ishull, kardinali Uilet u takua me një grup viktimash të shpërdorimeve seksuale. Foli me ta e u lut me ta. Shoqërohej nga nunci apostolik në Irlandë, kryeipeshkvi Sharl Xhon Braun, emëruar nga Papa janarin e kaluar, si dhe nga një ipeshkëv irlandez. Duke folur pas këtij takimi privat me viktimat e shpërdorimeve seksuale, tregoi se ishte një dialog thellësisht prekës dhe i siguroi viktimat se Papa është pranë tyre, thellësisht i hidhëruar, por edhe i tmerruar për atë, që ndodhi brenda Kishës në Irlandë. Ripohoi, sidomos, se Kisha po bën të gjitha përpjekjet, që kjo të mos përsëritet kurrë më!

Pyetje: - Tema të tjera me rëndësi në Kongres?

Përgjigje: - Një nga temat kryesore, është ajo e përtëritjes së Kishës. Dje u paraqit një zotëri, diakon i martuar në Kishën e Irlandës, një nga të parët, që u shugurua në kryedioqezin e Dublinit. E pas tij, dhe shtatë të tjerë, të martuar e të pamartuar. E kjo është hera e parë, historike, për Kishën vendase, në përkim me temën kushtuar shërbimit, shërbimit meshtarak e bashkimit të besimtarëve. Hap i madh përpara, ky. Po eksperimentohet se shërbimi në Kishë, ai meshtarak, por edhe ai i të gjithë njerëzve të përkushtuar, është bashkim, që synon të forcojë jetën dhe fenë e Kishës këtu, në Irlandë.







All the contents on this site are copyrighted ©.