Më 14 qershor kalendari kujton shën Elizeun, Profet
Më 14 qershor kalendari kishtar përkujton shën Elizeun, Profet. Elizeu, emri i të
cilit ka kuptimin “Zoti shpëton”, jetoi në Izrael në shekullin IX para Krishtit. Zoti
e zgjodhi të ndiqte Elinë, që e shuguroi, para se të zhdukej misteriozisht. Elizeu
mori pjesë aktive në ngjarjet më të rëndësishme politike të popullit të vet, përmes
dhantisë së profecisë, e mund të konsiderohet mrekullibërësi më i madh ndërmjet profetëve
të Besëlidhjes së Vjetër. Profet e jo shkrimtar, ashtu si mësuesi i tij, Elia, ai
mori pjesë në shqetësimet e izraelitëve gjatë luftës kundër moabitëve dhe kundër aramejve.
“Elia shkoi ta kërkonte Elizeun” – lexojmë në Librin e Mbretërve – e e gjeti duke
lëruar tokën; kishte para vetes dymbëdhjetë pendë qé; ai lëronte me pendën e dymbëdhjetë.
Si mbërriti tek ai, Elia i hodhi mantelin e vet. Atëherë Elizeu la qetë, vrapoi pas
Elisë e i tha: “Më lejo të shkoj për të përqafuar babain tim e nënën time, pastaj
do të të ndjek pas”. Elia iu përgjigj: “Shko e kthehu shpejt, sepse ti e di pse të
kërkova!”. Elizeu, duke u larguar, mori një pendë qé e i theri; e zjeu mishin me drurin
e parmendës e ua dha ta hanin shokëve të punës. Pastaj e ndoqi pas Elinë, duke u vënë
në shërbim të tij. Me këtë gjest kuptimplotë, bujku i pasur deshi t’i tregonte mësuesit
të vet se ishte gati të hiqte dorë nga gjithçka, për t’iu përgjigjur plotësisht misionit
të tij profetik. Elizeu Profet vdiq rreth vitit 790 para Krishtit dhe u varros pranë
Samarisë, ku në kohën e Shën Jeronimit ishte ende varri i tij, i cili më pas u dhunua
nga Juliani apostat. Megjithatë, disa nga reliket e tij shpëtuan dhe u mbartën në
Aleksandri, në Kostandinopojë e Ravenë, ku nderohen edhe sot.