2012-06-14 17:25:10

Konferenca Evropiane e Krishterë mbi internetin. Atë Spadaro: duhet t'i ndihmojmë njerëzit të dallojnë më të rëndësishmen


“Të arrijmë tek njerëzit, në botën e internetit”. Kjo është tema e Konferencës XVII Evropiane të Krishterë mbi internetin, që u mbajten në Romë deri më 14 qershor. Përfaqësues të kishave evropiane e të organizatave të krishtera, përmes një sërë takimesh me karakter ekumenik, po diskutojnë strategjitë, që duhen ndërmarrë për të qenë të dukshëm në botën e komunikimit dixhital. Në mbledhjen e zhvilluar në selinë e Radio Vatikanit, u analizuan marrëdhëniet ndërmjet teknologjisë e përshpirtërisë. Drejtori i revistës së njohur të jezuitëve “Qytetërimi Katolik”, atë Antonio Spadaro ndalet në sfidat e internetit për të krishterët:
Në çastin, kur njeriu është i zhytur në informacion, si në mes të detit, duhet të gjejë mjete për të zgjedhur, për të kapur pyetjet vërtet të rëndësishme, përgjigjja e të cilave e bën ta kuptojë si duhet vetë informacionin. Atëherë, sipas meje, problemi kryesor i kohës sonë qëndron në ndihmën, që u duhet dhënë njerëzve për t’i gjetur këto pyetje, këto çështje, duke i bërë kështu të aftë ta filtrojnë informacionin mbi bazën e tyre. Tragjedia e sotme? Gjithçka konsiderohet e rëndësishme e si pasojë, asgjë nuk është vërtet e rëndësishme.
Atë Spadaro, ju keni thënë se “Interneti nuk është mjet ungjillëzimi”…
Rrjeti nuk është mjet ungjillëzimi, sepse nuk është mjet; është një ambient, prandaj duhet të themi se është ambient ungjillëzimi. Interneti është ambient, ku pulson jeta: sa prej nesh lidhen me miqtë, me të dashurit, ose me mjetet e informacionit, përmes rrjetit? Interneti bëhet kështu ambient, në të cilin ne jetojmë, shprehemi, mendojmë, formojmë opinione, mbajmë miqësitë. Prandaj, rrjeti nuk është mjet ungjillëzimi: është vend, ku jetojmë e ku mund të dëshmojmë Ungjillin.
Konferenca Evropiane e Krishterë në internet ka karakater të veçantë ekumenik. A mund ta ndihmojë rrjeti dialogun ndërmjet të krishterëve?
Absolutisht, po. Por ekziston rreziku që në rrjet të krijohen flluska sapuni: ne e dimë se interneti, Facebook-u e rrjetet shoqërore në përgjithësi, i ruajnë të dhënat e karakteristikat e të regjistruarve, prandaj, në kontaktet, apo në informacionet për profilin tonë në rrjetet shoqërore, propozojnë gjëra që duam t’i dëgjojmë, por jo përgjigjet e vërteta të pyetjeve, që bëjmë. Prandaj, ka rrezik të mbetemi brenda kësaj flluske, të filtruar nga dikush tjetër, pra brenda grupit të cilit i përkasim, pa u përballuar me probleme, me kultura e me dëshmi të tjera, që do ta ndihmonin ekumenizmin.







All the contents on this site are copyrighted ©.