2012-06-14 17:24:24

Imzot Mambertì kërkon “themele etike” për bashkimin e Evropës


Çasti aktual historik vë në dukje se në procesin e bashkimit të Evropës, baza etike është e domosdoshme. Kështu foli sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì para ambasadorëve të Bashkimit Evropian pranë Selisë së Shenjtë, në një takim, organizuar në fund të semestrit të presidencës daneze. “Rruga për daljen nga kriza – vërejti imzot Mambertì në mbledhjen e zhvilluar në Romë – nuk mund të bazohet thjesht në kërkimin e zgjidhjeve teknike, edhe kur janë të reja, por në trashëgiminë e përbashkët evropiane, që e konsideron figurën dhe përgjegjësinë e njeriut si pasuri të pazëvendësueshme. Prandaj, zhvillimi i Evropës nuk mund të mos ketë në qendër njeriun”.
Kjo do të thotë të pranojmë se qytetërimi evropian nis nga krishterimi. Gjithashtu, theksoi imzot Mambertì, të bazohesh mbi njeriun, më tepër se sa në tregjet e institucionet, do të thotë të favorizosh jetën e familjen. Askush nuk është i gatshëm për sakrifica pa një horizont ideal, që të përcaktojë qëllimin e tyre e familja e krishterë është ky horizont. Për prelatin, “besimi, solidariteti e përgjegjësia janë fjalët kyç, përmes të cilave Evropa duhet ta shohë vetveten, sot më shumë se kurrë. Ato duhet të jenë baza, jo vetëm për marrëdhëniet brenda Bashkimit Evropian, por edhe për lidhjet me protagonistët e skenës botërore e për marrëdhëniet me vendet fqinjë, që aspirojnë të integrohen në këtë Bashkim”.







All the contents on this site are copyrighted ©.